TIRANE – Adriatik Coli, bashkëpunëtor i drejtësisë dhe i penduar i “bandës së Durrësit”, ka vijuar dje me përgjigjet e tij ndaj avokatëve të të pandehurve në proces. Ndërkohë që seanca e djeshme ka nisur me debate mes palëve. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura bënë të ditur se shkak i debatit është bërë pretendimi i avokatëve se një nga anëtarët e trupës gjykuese nuk ishte njohur me aktet e dosjes. Gjyqtari i futur rishtazi, si një nga anëtarët e trupit gjykues që shqyrton dosjen penale të të akuzuarve si anëtarë të “bandës së Durrësit”, të drejtuar nga Lulzim Berisha, pranoi dje se ishte njohur me materialet e dosjes penale. Sipas burimeve, avokatët kanë pretenduar se gjyqtarit të ri duhet t’i jepej koha e mjaftueshme dhe kanë kërkuar shtyrje të seancës. Pretendimi nuk është marrë parasysh nga gjykata e cila ka vijuar procesin. Edhe ditën e djeshme, i penduari Coli i është përgjigjur pyetjeve të avokatëve në lidhje me saktësime rreth deklarimeve të dhëna më parë prej tij. Për disa seanca me radhë, Adriatik Coli rrëfeu para Gjykatës për Krimet e Rënda të gjitha episodet kriminale për të cilat akuzohet “banda e Durrësit”. Coli filloi të dëshmonte në ditët e fundit të muajit shtator 2009, ndërkohë që procesi kishte më tepër se dy vjet “zvarritje”. Për arsye sigurie dëshmia e Colit është marrë në seanca me dyer të mbyllura për publikun. Të akuzuarit e “bandës së Durrësit” te Krimet e Rënda janë Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Endrit Dokle, Adritatik Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti dhe Osman Korpuzi.