08/12/2011  “Arjan Muça tregoi në gjyq se më kishin përgjuar bisedat, pse s’i nxjerrin”


Hasula: Pashë dikë që godiste dhe i bërtiste “Qen na vrave shokët”.


I akuzuar nga Prokuroria si autor i vrasjes së katër policëve dhe shokut të tij Ledion Mara, Dritan Dajti s’ka pranuar asnjërën prej akuzave, duke deklaruar se 9 policë të GOS janë shkaktarë të masakrës së 7 gushtit. Duke u nisur nga thënien e Arjan Muçës, se policia e ka pasur Dajtin në përgjim telefonik, por ishin zhdukur disketat e përgjimit, 40-vjeçari pohoi se në këtë proces po fshihen shumë prova. Nëpërmjet një deklarate të lexuar prej tij me ton të lartë dhe të ngadalshëm, 40-vjeçari Dajti ka treguar në sallën e gjyqit se asnjëri prej 9 policëve që kanë dëshmuar në gjyq nuk tregoi me gishtin tregues, atë si autor të vrasjeve. “I vetmi që më ka akuzuar është polici Flamur Gashi, i cili gjatë dëshmisë së tij ka pranuar se ka qenë me kurriz gjatë momentin kur kolet e tij më kanë arrestuar. Ndërsa për sa i përket deklarimeve të efektivit P.S, ai në sallën e gjyqit ka pranuar se shtetasi Ledion Mara është vrarë, pasi jam arrestuar unë, gjë e cila rrëzon akuzën e Prokurorisë, e cila më etiketon mua si autor të kësaj vrasje”,-ka deklaruar i pandehuri Dajti. Pas kësaj fjalie kanë ndërhyrë prokurorët e çështjes Eugen Beci dhe Ardian Nezha, të cilët i kërkuan gjykatës ndërprerjen e leximit të deklaratës, pasi sipas tyre i pandehuri po dilte jashtë objektit të akuzës dhe se ishte duke bërë vlerësim provash, në një fazë jo të tillë. Pas kësaj, salla u përfshi nga debati mes Dajtit, prokurorëve dhe gjykatës. Herë pas here, gjykata e ndërpriste të pandehurin duke i tërhequr vëmendje, ndërkohë që Dajti i kujtonte togave të zeza se që në fillim të procesit e deri tani ia kishin hequr të drejtën e fjalës plot 567 herë. Më tej Dajti ka vijuar duke pohuar se Prokuroria ka pranuar në gjyq se policët që kishin marrë pjesë në operacion kishin shkelur ligjin, duke vazhduar deklaratën e se dhe Prokuroria ka shkelur ligjin, pasi nuk ka sekuestruar armët në vendngjarje, por në zyrat dhe korridoret e policisë së shtetit, duke i lënë efektivave të zhdukin gjurmët dhe provat e masakrës. Në seanca dëshmoi dhe shtetasi Xhevat Hasula, i cili pohoi se kishte parë dy persona duke u përleshur fizikisht, dhe se njëri duke e qëlluar me shkelma, i bërtiste “Qen na vrave shokët”. E. Qyno