Ndriçim Kulla Flitet sot në sistemin tonë arsimor për reforma  por a e ka vendosur vallë shkolla jonë politikën e saj arsimore në prizmin e edukimit? Pjesa më e madhe e lëvizjes  intelektuale botërore rrotullohet rreth debateve dhe politikave pedagogjike? Por tek ne, a ka vallë shkolla jonë një aktivitet të cilësisë shkencore bashkëkohore për të kuptuar e më pas për të zbatuar aktivitetin e saj në bazë të dallimit të madh që ekziston midis Mësimit dhe Edukatës? “Mjaftojnë pak vjet për të mësuar, por ngandonjëherë duhen shekuj për t’u edukuar”, thotë një psikolog i madh dhe nëse e pasqyron këtë mendim në lëmin e shkollës shqiptare shquan se padija dhe indiferenca mbretërojnë akoma dhe sot, përsa i përket studimit dhe zbatimit më të thellë të shkencës së pedagogjisë për edukim, d.m.th., të mosçmuarit akoma dhe të moskuptuarit drejt vlerën e madhe qytetëruese dhe rilindëse të edukatës. Vetëm me anë të një aktiviteti pedagogjik të cilësisë më të lartë, vetëm me anë të një Shkolle që ka arritur ta kuptojë drejt dallimin e madh midis mësimit dhe edukimit, do të arrijmë ta udhëheqim aktivitetin tonë bashkëkohor, drejt përgatitjes së një brezi të ri të gatshëm për sfidat e së ardhmes. Shqipëria duhet të kthehet në një “fabrikë pedagogjike” me një aktivitet produktiv të pareshtur, që të kombinojë bashkë edukimin dhe reformimin e sistemit të saj arsimor. Ishte një ide largpamëse për kohën, ndoshta dhe utopike që në vitet 30-të te shek të kaluar, por ende dhe sot, pyetja mund të hapë shumë debate. Vallë e kemi Shqipërinë një “fabrikë të tillë pedagogjike”. Vallë e kemi sot një prodhimtari të tillë pedagogjike të denjë për përpjekjen edukative që kërkon koha? I gjithë qëllimi i edukatës, thotë Alfred Adler, një    psikolog i madh, është të mbjellë në qenien shpirtërore të njerëzve, kurajon dhe ndjenjën kolektive”, pra të kultivojë mentalitetin shoqëror, idenë e organizimit kolektiv, pra pikërisht ato gjëra për të cilat ka më shumë nevojë struktura sociale e shoqërisë shqiptare e që mund të konsiderohen edhe plagët e saj të mëdha historike. Po vallë a i ka dhënë ende dhe sot shkolla shqiptare një qëllim të tillë edukimit të saj? Etapa e parë e organizimit të një jete mendore është zhvillimi i një lëvizje idesh mbi problemet shoqërore të një vendi, në majë të të cilave qëndron problemi arsimor, ose më mirë krijimi i një Politike Arsimore. E kjo për faktin e thjeshtë se nuk ka një “shkencë pedagogjike” që të ketë një formë të përbashkët praktike dhe mundësie arsimore që të arrijë të puthitet tek të gjithë popujt e të ndiqet prej tyre. çdo popull, çdo shoqëri ka edhe problemin e vet shkollor. Vlera kombëtare dhe shoqërore e këtij problemi është e lidhur ngushtë me interpretimin sociologjik dhe me psiko-sintezën e veçantë të çdo populli. Në këtë perspektivë ideja pedagogjike përfaqëson një tendencë për transformimin, ndryshimin dhe zhvillimin e një reforme shoqërore, e cila që të vihet në lëvizje dhe zbatim lyp më parë kuptimin dhe thëthitjen e thellë të të gjithë nevojave të shoqërisë, si dhe një përpunim mjaft të përparuar për kohën dhe thellësisht shkencor të idesë së organizimit kolektiv, gjëra këto që nuk mund të arrihen kurrë, pa një “ndërgjegje ideologjike”, pa një “qytetërim të brendshëm” dhe pa “një kulturë kombëtare”. Pasi vetëm po të arrijmë të formojmë, me anë të institucioneve shkollore, edukatën e brendshme dhe dispozitat shpirtërore dhe ideologjike të brezit të ardhshëm, ndoshta do të ngulisim edhe cilësorë të fortë qytetërimi në mendjet e tyre, por nuk do të arrijmë kurrë t’u japim një “kulturë”.  “Fëmijët duhet të edukohen jo në bazë të gjendjes së sotme të kombit, por në bazë të nevojave të ardhshme të përparimit shoqëror”, thoshte Kanti. Në këtë kuptim: “Vetëm vlera shoqërore e njeriut arrin të japë vërtet një kulturë”, përcakton ai. Atëherë, nëse përballemi me parime të tilla, kuptohet qartë se krijimi i një Politike shkencore dhe bashkëkohore Arsimore, është një problem aktual. E që të ngjitemi në rangun e “mendjes” dhe të gjurmimit të modeleve dhe sistemeve më të volitshëm që kërkon apriori një përpjekje serioze pedagogjike e këtij lloji, duhet të thëthijmë me tërë mushkëritë tona atmosferën e një jete mendore sa më të thellë, kombëtare dhe cilësisht shkencore. Janë përbërësit që i nevojiten sot aq shumë politikës sonë arsimore, pasi historia tregon se edhe kombe të mëdhenj e shumë më lart se ne në rrafshin intelektual, u munduan për një shekull të tërë të derdhin ide e përpjekje të zgjedhura shkencore, për të arritur të shohin fillesën e një Politike të tyre kombëtare dhe të edukimit shoqëror dhe që ne sot i shohim si shembuj frymëzimi. Por për fat të keq edhe pse e trajtojmë problemin me shumë  dashamirësi ne kemi mbetur me të vërtetë sot në nivelin e një pyetje  plotësisht të debatueshme nga pikëpamja shkencore: a kemi sot një politikë arsimore të edukimit, e më thellë, të edukimit shoqëror, d.m.th., një politikë arsimore që t’i përshtatet shpirtit, karakterit, historisë, natyrës dhe nevojës së përmirësimit të shqiptarit?  Besoj se është bërë shumë pak në këtë drejtim, por më e keqja është se nuk po ofrohet ndonjë gjë konkrete për ta filluar këtë reformë thelbësore. Në shkollën tonë sot bëhet mësimdhënie, por jo edukimi që  duhet. Spontanitetit të spikatur shqiptar i përgjigjet dhe diktohet   një punë e rëndë, gati formale, duke mos menduar për të nxitur  leximin, aktivitetin krijues dhe dinamikën e lindur të fëmijëve të fillores, e duke penguar kësisoj përfitimin e natyrshëm të një njohje të gjallë me anë të eksperiencës. Edukimi nuk mund të jetë një ligj apriori, apo një imponim që vjen nga jashtë siç është bërë modë të flitet për probleme thelbësore të arsimit tonë. Por nuk është as diçka që mund të arrihet dhe perfeksionohet me një vernik të lehtë, pra me një lustro të jashtme, që nënkupton ato lëndë e mësime të cakëzuara e aspak prioritare e të ponderuara që u jepen fëmijëve tanë. Në një kohë që etika, edukimi moral, shoqëror, qytetar, demokratik,kombëtar; pra gjithçka që formon karakterin dhe integritetin e vërtetë të një individi për shoqërinë, duhet të kishin ponderimin më të madh të lëndëve dhe orëve të lira ose kurrikulare, për ta kthyer shkollën tonë fillore në një shkollë të “edukimit krijues”, që të mos shkatërrojë dispozitat dinamike të nxënësve por t’i orientojë ato. Kërkesa jonë e edukimit shoqëror përfshin edhe një parim të rëndësishëm të politikave arsimore të shkollave më të njohura të qytetërimit perëndimor. Bëhet fjalë për atë kredo të famshme pedagogjike të shndërrimit të shkollës në një “shkollë të aktivitetit” pra, një shkollë që të kalojë mësimdhënien dhe një punë shkollore mekanike, që nxjerr një numër të madh fëmijësh me kulturë artificiale, që në rrebeshin e parë të jetës i rrëzon kokrrat përtokë. Nuk bëhet fjalë aspak për shkollat profesionale, por për një shkollë që të vërë në lëvizje gjithë fuqitë e brendshme produktive të nxënësve të vet, pra të krijojë orientimin drejt edukimit të njeriut për shoqërinë. Edukim do të thotë kulturim që mund të bëhet vetëm brenda në e shpirtin e fëmijëve dhe që mund të krijohet me zhvillimin shkencor dhe orientimin pedagogjik të “unit” djalëror. Jo siç bëhet rëndom në shkollën tonë me frikën e dënimit, autoritetin e mësuesit apo dhe superioritetin më të madh nëpunësor të ministrit, zyrtarit, mësuesit mbi edukatorin e vërtetë. Idenë tonë pedagogjike e ndihmon fortësisht në këtë drejtim, edukimi krijues i shkencave, i kuptuar në popullarizimin e tyre, pra shpjegimin e thjeshtëzuar të tyre për nivelin e shkollës së mesme, ose edhe atë fillore. E këtë duhet të përfshijmë sa me shpejtë jo vetëm në shkencat e mirëfillta, por edhe ato humane dhe shoqërore, vendimtare në krijimin e një shkolle të edukimit shoqëror. Veçse një gjë e tillë shkatërrohet që në rrënjë, nëse e lëmë fakultativ studimin e tyre. ç’edukim apo ç’ngulitje të idesë së shoqërisë mund të ketë një i ri nëse nuk edukohet gjerë dhe thellë me filozofinë e sociologjinë, e le më pastaj me një kulturë popullore, unike dhe harmonike, po nuk e bazoi këtë studim në psikologjinë shqiptare. Ndaj ky hon i thellë në ndërgjegjen dhe edukimin e fëmijëve tanë duhet të kishte filluar të administrohej nga strukturat e larta drejtuese të arsimit shqiptar. “Gjendja e shpirtit të fëmijëve është barometri i shëndetit dhe vitalitetit të një shoqërie”. Kjo ishte njëra nga kredot më të rëndësishme pedagogjike të filozofit të madh të edukimit amerikan të asaj kohe Xhon Djui, një moto arsimore kjo që i ka rezistuar kohës dhe përbën modelin e shumë politikave të sotme arsimore në shumë vende të përparuara perëndimore. Mendoj se ky duhej të ishte misioni kryesor reformues që duhet të ndërmarrë sot arsimi ynë.