Nga Tema

Antena brenda familjes





E dashur nënë Jovankë.


E mora letrën tënde. Me gjithë të mirat që ka ky vend sa i përket pasurimit të shpejtë dhe miqësive të mëdha, ka dhe shumë të këqija. Këtu ndodhin ca gjëra që s’ndodhin askund. Meqë nuk është letra e parë dhe e ke hequr merakun, po të them se ka disa shqetësime që duhet t’i dish.


Ti besoj e mban mend Lulin, atë djaloshin që ka punuar në Kosovë që e kemi pritur disa herë në shtëpi në Londër. E kam njohur që nga 2004 dhe atëherë më premtoi se do investonim bashkë në Shqipëri. Tentuam, siç e di mirë, por socialistët nuk na e varën shumë. Atëherë kaluam te plani B dhe i hymë vetë politikës. Por tani më vjen keq të të them se ai është në telashe.


Këtu seç kanë vënë një vajzë të re kryeprokurore, që nuk dihet se ç’bën. Kështu duket e qeshur dhe simpatike, por vetëm kur të pret fletë-arrestin, e kupton se me kë ke të bësh.


Tani, ky miku im “Salli”, siç i thua ti, ka bërë sa ka mundur. Çfarë s’i ka bërë kësaj vajzës. E ka marrë me të mirë dhe me të keq. I ka bërë elozhe të mëdha dhe kërcënime të mëdha. Por ajo duket tip i çuditshëm. Më duket se nuk kupton gjë fare nga kjo dynja. Unë erdha mirë e bukur për të dhënë intervistë, pasi fola me Sallin në Gjermani, ajo më kishte prerë fletëthirrjen. Unë po pija kafe për qejf te “Sheraton”-i, kur më thanë, shpejt, ik te “Klan”-i, jep intervistën dhe largohu, se do të thërrasin. Me thënë të drejtën jo se jam frikacak, por pak u tremba, se s’i dihet njeri i huaj jam. Dhe s’e kam hallin kur të më pyesin për emrin e babait, se ai është mysliman dhe s’u ngelet qejfi, por kur të them emrin tënd dhe e kuptojnë se jam serb. Nuk është se ka ndonjë inat me serbët, por mund të bëjë ndonjë provokim dikush, se miku im “Salli” u ka thënë që jam boshnjako-anglez. Unë mund t’iu them dhe emrin Jovi për ty, por kam hall se ma quajnë falsifikim dhe ajo më duhet.


E kisha fjalën tek ai miku im, Luli. Atë ma ka marrë kjo vajza e prokurorisë dhe po e torturon. E ka mbajtur dy orë në pyetje. Dyshojnë se mos atë “Ecorys Group”, firmën konsulente që i ka rekomanduar qeverisë të bëjë prokurimin me kosto për kilometër, e ka bërë për interesa të Lulit. Unë atëherë solla dhe Tom Ridge në Shqipëri, që t’i trembja pak, por s’ia dola dot. Akuzat vazhduan që vazhduan. Tani ky miku im, Luli, është pak i hutuar dhe ka bërë një budallallëk. Vendimin për të marrë konsulent “Ecorys Group” e ka marrë në korrik, kurse në maj ka bërë një vendim qeverie që e mbështet te konsulenca e “Ecorys Group”. Budallai kishte harruar që s’e kishte marrë me letra, por ishin thjesht miqtë tanë. Dhe këtu janë kapur tani dhe duan ta zbërthejnë. Duan të dalin tek unë, se kush ka hap fjalë që kemi marrë nja 100 milionë euro për llogari tonat. Po kjo nuk është e vërtetë. Dhe dy nënkontraktorët që futa unë, Erioni m’i gjeti, kunati i Lulit. Dhe atë shqiptarin ma gjeti një copë-copë që s’ka asnjë traktor. Më thanë ata të “Bechtel”-it t’i japim lekët e të iki se na pengon ritmin e punës. Atë kosovarin e gjeti vetë Luli, po dhe ai copë-copë është.


S’di ç’të them, e dashur nënë, po ky s’i ka punët mirë. Se kjo vajza e prokurorisë më duket pak e papërgjegjshme. As e vret mendjen fare. Ka dalë dhe një ambasador këtu, ky amerikani, që orë e minutë i shkon në zyrë dhe i thotë ti je heroinë. Epo ajo femër është, i rritet mendja dhe të merr më qafë. Se tani me amerikanë kam punuar dhe unë, po ky është teprim. Nuk i thuhet një vajzë të re 35 vjeçe do hysh në histori, se ajo të bën gjëmën. E ka fut në një siklet të pashoq këtë mikun tim. Ai bën sikur qesh gjithmonë, po ajo mund t’i ngrijë buzëqeshjen në buzë. Se s’i ka punët mirë as me presidentin. Është përpjekur t’i ruajë marrëdhëniet fshehurazi me të, të mos binte në sy të “Sallit”, por e kuptoi ai dhe i tha “o me Bamirin, ose me mua”. (Se mos e ngatërrosh, e ka me B, Bamir, jo Damir). Që atëherë Luli nuk i flet më presidentit dhe tani që duhet të ishte me të në vizitë zyrtare në Itali, nuk shkoi fare nga frika.


Kështu e dashur nënë, punët në përgjithësi i kam mirë, por miqtë e mi janë pak në telashe. Sapo të kem lajme të mira, do të shkruaj. Në këtë dreq vendi ndodhin aq shumë gjëra në një ditë, sa nuk del një letër.


Të fala nga Damiri (alias Demir)