E përditshmja serbe “Danas” citon burime nga Brukseli, sipas të cilëve presidenti kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi janë pajtuar me faktin e pjesëmarrjes në konferencë, përkundër faktit se në dokumentet e konferencës Kosova pritet të përfaqësohet me siglën “UNMIK/Kosovo”.

Sipas “Danas”, në konferencën që do të mbahet më 20 mars në Slloveni, para të pranishmeve në tryezë do të qëndrojë vetëm emri “UNMIK/Kosovo”, dhe jo Republika e Kosovës.

Ambasadorja sllovene në Beograd, Jadranka Sturm-Kocjan, citohet të ketë thënë se përfaqësuesi i UNMIK-ut do të flasë i pari, dhe më pas ai i Kosovës.

Ndërkohë, Beogradi ka refuzuar të marrë pjesë në takimet ku Kosova përfaqësohet si shtet, ndërsa zyrtarët e Kosovës kanë deklaruar këto ditë se, përfaqësimi i Kosovës përmes UNMIK-ut ka marrë fund.