Emri i tij është lakuar shpesh nga mediat greke. Është një prej shqiptarëve më të njohur në vendin fqinj. Balerini Danilo Zeka, është një prej artistëve i cili e përfaqëson më denjësisht Shqipërinë në vendin helen. Ndoshta, siç e thekson edhe vetë ai, sepse arti nuk njeh kufij. I angazhuar plotësisht në jetën artistike në Athinë, ai është një prej solistëve të teatrit të operës dhe baletit në kryeqytetin grek. Ka interpretuar në kryerole të baleteve më të njohura botërore, ka prekur skena në vende të ndryshme të botës... Dje në mbrëmje, ai shkeli për herë të parë edhe skenën e Teatrit të Butrintit ku në festivalin ndërkombëtar të teatrove "Butrint 2000", Zeka ka interpretuar me kompaninë teatrore të dance teatrit në Athinë. Në shfaqjen "Elektra", me regji të Sofia Spiratu. Në këtë tragjedi të mitologjisë greke, Danilo ka ardhur në rolin e Orestit, vëllait të Elektrës. Por nuk është i vetmi shqiptar në këtë trupë. Bashkë me të interpretojnë edhe katër artistë të tjerë. ky është një sukses sipas Danilos, një arritje të cilën ata e kanë arritur me shumë punë e përkushtim, sigurisht, pa lënë mënjanë edhe talentin. Rrugëtimin artistik, Danilo e ka nisur në Tiranë, ku studioi balet, për pak kohë ishte edhe pjesë e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë... pas kësaj vendosi të ngjisë shkallët e karrierës në Greqi, vend që i hapi portat dhe i vlerësoi talentin.



Cili është vendi juaj në trupën e Athinës?



Jam balerin në Teatrin e Operës në Athinë, solist i parë.



Është hera e parë që vjen si solist në Butrint?



Po, është hera e parë që vij edhe pse teatrin e Butrintit e mbaj mend, ndonëse kam qenë shumë i vogël. Mendoj se atje ka nisur historia jonë e të jetuarit me artin ndaj edhe e vlerësoj tepër faktin që ndodhem këtu.



Si ndodhi që u larguat nga Shqipëria drejt Greqisë?



Kam ikur në Greqi pa shumë vështirësi siç ka ndodhur me bashkëkombësit e mi. Më kujtohet se kam qenë i ftuar në një teatër shumë të madh. E kam pasur më të lehtë, ndoshta sepse kam qenë me fat, ose ndoshta sepse arti nuk njeh kufij.



Tashmë duket se jeni integruar plotësisht në jetën artistike të Greqisë, megjithatë a ndodh të ndieni peshën e diskriminimit në ambientet e punës vetëm prej faktit se jeni shqiptarë apo kjo nuk ka ndodhur asnjëherë me ju?



Unë them se ka ndryshim shumë të madh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk e ndiej veten të paragjykuar, ne jemi pothuaj të barabartë me ta. Ndoshta sepse u rritëm në atë mjedis apo sepse ua kemi imponuar të na duan me punën dhe vendosmërinë tonë për t‘u integruar plotësisht. Tashmë unë jam pjesë e jetës artistike atje dhe ndiej se më pëlqen puna që bëj e njerëzit që më rrethojnë. Më pëlqen të punoj kudo. Tani ndiej emocion që jam këtu, në vendin tim.



Danilo, ku jeni formuar artistikisht?



Unë kam studiuar në Tiranë në Shkollën e Baletit, të cilën e përfundova në vitin 1996. Isha një vit në Teatrin e Operës. Pas kësaj kam shkuar në Zvicër-Gjenevë për një eksperiencë 3-mujore për baletin modern ose neoklasik. U ktheva në Tiranë dhe gjeta vendin në një situatë të rëndë. Ishte koha e krizës së piramidave. Teatri i Operës dhe Baletit u mbyll. Ishte profesori Dako Shtuni, i cili më ofroi punë te një koreograf i njohur grek, Haris Mandofunis. Pas kësaj u njoha me regjisoren dhe koreografen



Sofia Spiratu, e cila më ftoi të bëhesha pjesë e trupës së saj.



Jeni angazhuar vetëm me këtë trupë me të cilën interpretoni në Butrint, apo aktivitetet tuaja janë më të gjera se kaq?



Jo, jam i angazhuar edhe në mjaft aktivitete të tjera. Kam kërcyer në festivale, në shfaqje private, në show televiziv. Prej vitit 2000 jam balerin i Teatrit të Operës në Athinë, ku kam interpretuar si solist në shumë role të njohura.



Po në shfaqjen "Elektra", cili është roli me të cilin paraqiteni para publikut?



Unë interpretoj në rolin e Orestit, vëllait të protagonistes, që e luan Viki Haxiaki. Them se më përshtatet dhe ndihem mirë.



Çfarë mban mend nga fillimet tuaja?



Në fillim gjithçka dukej e vështirë. Duke na njohur aftësitë dhe karakterin, kolegët grekë na përjashtuan fillimisht nga kompleksi që kishin mbi shqiptarët, pastaj na pranuan në bashkëpunim e mandej pranuan edhe protagonizmin tonë. Kjo nuk do të thotë se ambiciet profesionale mes artistëve këtu nuk ekzistojnë. Megjithatë, nëse ke vullnet e dëshirë të mirë për të ecur para e nëse beson në talentin tënd, atëherë dyert me siguri që do të hapen.



Cilat janë rolet më të spikatura me të cilat jeni përballur me publikun?



Rolet e mia më të spikatura janë roli i Albertit në baletin "Zhizel", princi Zigfrid në baletin "Liqeni i Mjellmave", roli i Don Hozesë në operën "Carmen". Ndërsa te "Zorba" kam interpretuar në rolin e Xhonit.



Kemi mësuar se nuk je i vetmi shqiptar që ke bërë karrierë dhe emër në art në Athinë. Kush janë të tjerët?



Natyrisht, unë nuk jam i vetmi shqiptar i përfshirë në "Elektrën" e Butrintit 2009. Bashkë me mua është edhe Taulant Ferra, në rolin e të dashurit të Klitemnestrës, që ishte e ëma e Elektrës dhe gruaja e Agamemnonit, mbretit të mbretërve. Po kështu, Aleksandër Qejvanaj, në rolin e shokut të Orestit. Ndërsa në Teatrin e Operës jemi 9 shqiptarë në Athinë. Është një arsye për t‘u gëzuar, pasi ka ikur koha kur shqiptarët punësoheshin vetëm në punë të rëndomta, nëpër qendra argëtimi, në buzuqe e lokale nate. Shumë nga ne tashmë ka gjetur veten në pozicione dinjitoze që me të drejtë u përkasin. Profesionalizmi na bëri shpejt të njohur e të kërkuar dhe ajo që duket se kemi bërë mirë, është mbështetja e shqiptarit për shqiptarin.



Gjatë karrierës suaj, cili është kujtimi më i bukur i cili ende ju zgjon emocione?



Gjëja më e bukur e jetës sime është ndezja e flakës olimpike në 2004 në Greqi para fillimit të Lojërave Olimpike. Unë kisha nderin të vrapoj 300 metra me pishtarin, duke shpërndarë flakën olimpike.



Ku ju ka çuar arti juaj?



Jam ngjitur në shumë skena në vende të ndryshme të botës si në: Kajro, Budapest, Paris, Rumani, Bullgari etj. Baleti më ka çuar larg... e pres të më çojë më larg akoma.