Danimarka ka vendosur të pezullojë traktatin Shengen dhe të rivendosë kontrollin e kufijve me Gjermaninë dhe Suedinë. Ministri i Financave të këtij vendi, Klaus Hjort Frederiksen, tha se vendimi u mor në marrëveshjen mes qeverisë liberal-konservatore në minorancë dhe Partisë së popullit danez (Ppd), e ekstremit të djathtë. Vendimi do të hyjë në fuqi brenda tri javësh, ka shtuar ministri dhe kontrollet do të bëhen në kufijtë tokësorë me Gjermaninë, në urën që lidh Danimarkën me Suedinë, në porte dhe aeroporte. Ppd dhe liderja e saj, Pia Kjaersgaard, kanë rihedhur idenë për të parandaluar emigracionin ilegal dhe krimin e organizuar pas valës së madhe të emigrantëve nga Afrika e Veriut në kufijtë mesdhetarë të BE-së. Do të bëjmë instalime të reja në kufirin gjerman me instrumente elektronike dhe identifikimi, shtoi Frederiksen. Danimarka të mërkurën iu bashkua një numri në rritje të vendeve europiane që kërkojnë kontroll më të fortë më kufij, duke thënë se do të instalojë stacione të përhershme në kufijtë e saj. Stacionet do të bëjnë kontrollin e makinave, të pasaportave dhe do të rritin përdorimin e skanerëve për të dalluar nëse do të ketë emigrantë ilegalë brenda kamionëve. Sipas Frederiksen, kontrollet do të jenë brenda strukturës së sistemit Shengen, marrëveshja e udhëtimit të lirë që ka hequr pikat e kontrollit të pasaportave ndërmjet kufijve të brendshëm të Bashkimit Europian. Ne shohim një rritje në krimin ndërkufitar: drogën, bandat e Europës Lindore, trafikun e qenieve njerëzore, pastrimin e parave etj. Dhe, një nga mënyrat më efikase për ta luftuar këtë, është kontrolli i kufijve, tha Frederiksen. Marrëveshja mes partive në Danimarkë pritet që të miratohet nga Parlamenti. Ministri i Drejtësisë në këtë vend, Lars Barfoed, tha se Danimarka duhet të jetë një vend i sigurt dhe do të bëjë çdo gjë të mundur për të luftuar rritjen e kriminalitetit. Rreth 270 milionë kroner (52 milionë dollarë), janë rezervuar nga qeveria daneze për të ndërtuar stacionet e kontrollit, për të blerë pajisje elektronike dhe për të siguruar më shumë mjete për policinë dhe doganat. Danimarka i është bashkuar marrëveshjes Shengen rreth një dekadë më parë.


Komisioni Europian

Sistemi ka qenë nën presion të fortë së fundi dhe Komisioni i BE-së konsideron rivendosjen e kufijve nacionalë pas përballjes me fluksin e emigrantëve nga Afrika e Veriut. Javën e kaluar, komisionerja e çështjeve të brendshme, Sesilia Malmstrom, ka sugjeruar rivendosjen e kontrollit të përkohshëm të kufijve kombëtarë nën rrethana shumë përjashtuese, pasi Franca dhe Italia kanë kërkuar ndryshime në sistemin Shengen. Edhe vende me kufij detarë, si Greqia, Italia, Spanja dhe Malta, janë ankuar se Unioni i 27 vendeve ua ka plasur problemet e emigracionit vendeve bregdetare dhe ato po përballen vetëm me këtë.