Feride Papleka


Dashuria (1)

Dashuria (2)

Dashuria (3)

Dashuria (4)


Për shkak të natyrës së ndërlikuar dhe të vështirë për ti interpretuar, përkufizimet për dashurinë janë shndërruar shpesh në klishe. Por, në shumë raste ato janë kthyer në përgjithësime universale, të cilat i gjejmë në thëniet që i kushtohen dashurisë, duke filluar ndër të tjera me frazën e Virgjilit Omnia vincit amor (Dashuria triumfon mbi gjithçka); apo me vargun e Dantes në mbyllje të poemës Komedia Hyjnore: lAmor che move il sole e laltre stelle. (Dashnija, që lëviz diell e yj të vezullueshëm, përkthyer nga Pashko Gjeci, Parajsa, f.188) ; thënia e Cervantes-it Lufta dhe dashuria janë njëlloj, apo e Tolstoit Të gjitha dashuritë janë të lumtura, deri te e famshmja: Dashuria të bën të verbër etj. Sipas studimeve, dashuria është një ndjenjë dhembshurie dhe besnikërie shpirtërore kundrejt një personi tjetër. Gjithsesi, ky konceptim i specifikuar i dashurisë përbëhet nga një sferë e gjerë ndjesish që shkojnë nga dëshira e rrëmbyer dhe dashuria romantike, tek afërsia pa seksualitet ose dashuria platonike dhe gjer te përkushtimi shpirtëror fetar. Nën këto forma të ndryshme dashuria vepron si një faktor madhor në marrëdhëniet e shoqërisë dhe zë një vend qendror në psikologjinë njerëzore. Kur dashuria përjetohet me fuqi të madhe, flitet për një pasion dashuror e që për të dhënë ndikimin që ajo ushtron në mendje dhe zemër, shpeshherë përdoret imazhi i flakës apo i djegies dhe sidomos i helmit (U bë verem nga dashuria.). Kur pasioni dashuror shkakton njëjtësim me personin tjetër, kur ajo i bashkon të dy të dashuruarit ngushtë, flitet për dashuri që i shkrin dy dashuritë në një të vetme. Shfaqja e dashurisë së pasionuar në mënyrë të shpejtë, në gjuhën e përditshme quhet dashuri e papritur, rrufe, tronditëse, në frëngjisht thuhet coup de foudre, që nxit sjellje të përcaktuara për të joshur qenien e dashur dhe që synon të fitojë dyanshmërinë e kësaj ndjenje. Ajo shprehet me veprime dhe gjeste dashurie, të cilat pjesërisht janë praktika dhe gjeste kulturore. Ato, veç kësaj studiohen nga antropologjia, sociologjia dhe filozofia, të cilat i shohin si konceptime të dallueshme dhe të dukshme për epoka të caktuara historike. Ka edhe një numër të madh çrregullimesh psikike që lidhen me dashurinë e me të cilat merret psikanaliza.


Historia, filozofia dhe besimi (po ashtu edhe teologjia e lidhur me të) kanë medituar shumë për fenomenin dashuror, burim i përhershëm frymëzimi për artet plastike, letrare dhe muzikore, duke përmirësuar kuptimësinë tonë për natyrën dhe funksionin e dashurisë. Termi dashuri është përdorur që në kohërat antike. Në mendimin platonician dashuria është parë si një pasion i kobshëm, por edhe një marrëzi hyjnore që është shkaku i të mirave më të mëdha për njeriun.


Në vitet 60, sipas një reviste amerikane lidhjet dashurore shpreheshin me tri fjalë:  love (ndjenjë dashurie); sex (seks), marrëdhënie pa gjykuar paraprakisht ndjenjat, të pranishme ose jo dhe fun, shkëmbim marrëdhëniesh ndërseksuale që shkojnë nga flirti në lidhje më të thella, pa ndonjë zotim as nga njëri dhe as nga tjetri për martesë. Peace and Love » (Paqe dhe dashuri). Kënaqësi që sjell mungesa e dhunës, joshje, erotizëm (zbavitje seksuale), këto numëroheshin si gjëra pozitive të kohës së re në atë revistë. A është njeriu burimi dashurisë që përjeton apo dashuria është një ndjenjë e natyrshme që i imponohet? Filozofi Baruch Spinoza që është marrë shumë me këtë çështje, veçanërisht te libri Etika, e përkufizon kështu: Dashuria është gëzimi i shoqëruar me një shkak të jashtëm ; [...] Ai që dashuron përpiqet domosdoshmërisht të jetë i pranishëm dhe ta ruajë për vete gjënë që do. Filozofi Leibniz i jepte këtë përkufizim dashurisë: Të dashurosh, do të thotë të ngazëllohesh për lumturinë e tjetrit. Filozofi tjetër misozhin (misogine, që i përçmon gratë), Arthur Schopenhauer ka shkuar larg kur thotë se dashuria është një iluzion i Vullnetit (thelbi i çdo gjëje sipas tij) që kërkon të përjetësohet nëpërmjet riprodhimit. Në fakt, ligjërimi që përuron filozofinë e dashurisë është libri Banketi i Platonit. Ky dialog filozofik mbledh disa të rinj të shquar të kohës, disa prej të cilëve janë nxënës të zjarrtë të Sokratit, te shtëpia e një poeti tragjik që ka fituar një konkurs. Sipas një radhe të konceptuar mirë nga autori, ata i thurin lëvdata perëndisë së dashurisë dhe nëpërmjet tij dashurisë. Ligjërimi hapet dhe mbyllet me temën e dashurisë, por dashuria njerëzore në fund zëvendësohet nga dashuria hyjnore. Secili flet sipas radhës. Le të sjellim si shembull diskutimin e Aristofanit, komediograf i njohur, i cili ndryshe nga ata që kanë diskutuar para tij, flet për vuajtjet që sjell dashuria. (Në komedinë Zogjtë ai ka folur për mjerimet e dashurisë). Ai e nis ligjërimin me mitin sipas të cilit në fillim ekzistonin burri i dyfishtë me origjinë diellore, gruaja e dyfishtë me origjinë tokësore dhe androzhini (njeriu i dygjinishëm), me origjinë hënore. Në këtë kozmos origjinal këto qenie primitive kishin një formë të përkryer, krijonin një objekt të rrumbullakët, domethënë një të tërë të qëndrueshme e të plotë. Ato  zhvendoseshin në hapësirë duke u hedhur dhe një ditë deshën të sfidojnë edhe zotat në Olimp. Zeusi i shqetësuar, sepse nuk donte as ti zhdukte këto qenie njerëzore dhe as ti bënte lëshime gabimit të tyre, e gjeti zgjidhjen: i ndau më dysh dhe ngarkoi Apollonin të merrej me shërimin e plagëve. Kështu të përgjysmuara ato mbetën në kërkim të përhershëm të gjysmës tjetër. Prandaj në gjuhën e përditshme thuhet edhe gjysma ime, kur njeriu ka gjetur vërtet harmoninë shpirtërore në dashuri. Pra, sipas këtij miti, dashuria është kërkimi i përjetshëm i lidhur me një mungesë. Sokrati, që është në qendër të thuajse gjithë dialogëve të Platonit, dëgjon në heshtje. Në fund atij i kërkojnë të marrë fjalën. Dhe ai me qetësinë që e karakterizon dhe me bukurinë e arsyetimit, tregon atë që i ka thënë në mirëbesim e urta Diotimë (Diotima e Mantinesë është një priftëreshë dhe profete që luan një rol të rëndësishëm në këtë dialog). Sipas saj dashuria nuk është as delikate dhe as e bukur, as e ditur dhe as e paditur, as e vdekshme dhe as zot. Ajo është një qenie e ndërmjetme, një demon. Natyra demoniake e Erosit shpjegohet me mitin e lindjes së tij në ditën e martesës së perëndeshës Afërditë, si mishërim i dy të kundërtave: nëna e varfër, një shërbëtore dhe babai i pasur, një i ftuar. (Një mit që sakrifikom lindjen e Erosit). As i vdekshëm, as zot i pavdekshëm. demoni dashuri është i dhënë pas pavdekësisë; i vendosur midis urtisë dhe paditurisë, ai është i etur për dijen, ashtu si është i prirur ndaj bukurisë dhe pavdekësisë. Gjithë qëllimet e tij i përkasin një horizonti të vetëm ontologjik drejt të cilit shkon dashuria. Pas ligjërimit të Sokratit, Alcibiadi me një kurorë vjollcash në kokë, në krye të festonjësve  i bën lëvdata Sokratit për zgjuarsinë