Deklaratat


Kapiteni Cana: Vështirë ta kapërdish, menduam se e kishim mbyllur ndeshjen


De BiaziZhgënjimi pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit Erikson lexohej qartësisht në fytyrat e të gjithë futbollistëve të kombëtares shqiptare të futbollit, por sidomos trajnerit Xhani De Biazi. Tekniku dukej i pakënaqur jo vetëm për pikën e humbur, por edhe sepse skuadra u kthye në euforike, duke dalë nga detyrat e saj.


“E dinim cilësinë e Portugalisë, duhej të ishim të vëmendshëm deri në sekondën e fundit. Fatkeqësisht treguam një mendjelehtësi në goditjen e këndit dhe e pësuam. Është një rezultat shumë dëshpërues për ne, edhe pse Portugalia krijoi më shumë raste. Fola për tre minuta në dhomat e zhveshjeve me skuadrën, që të mundohemi të nxjerrim mësime për këtë situatë që djeg, ne dhe tifozëve, kur ishim të bindur se mund të arrinim rezultat. Aq më shumë pasi luajtëm një pjesë të dytë më të mirë. Mendoj se për ne e rëndësishme është të mos humbasim identitetin tonë, të mos rrëmbehemi nga publiku, të bëjmë një ndeshje inteligjente. Sipas meje, ne menduam se ishim më të bukur sesa ishim në të vërtetë dhe e paguam shumë rëndë”, deklaroi trajneri pas ndeshjes.


Ai është i ndërgjegjshëm se tashmë kualifikimi direkt është shumë më i vështirë, edhe pse Danimarka nuk e ka fituar sfidën e saj. “Me pikën e humbur sot, duhet të bëjmë sa më mirë ndeshjet e radhës. Portugalia, nëse fiton ndaj Danimarkës, na bën nder dhe mund të sigurojmë pikët që na duhen për të shkuar direkt në Europian. Por ia komplikuam gjërat vetes. Rezultati ishte i rëndë për ne. Shpresoj që të rikuperojmë energjitë dhe dëshirën për të bërë sa më mirë”, ishin fjalët e De Biazit.


Për kapitenin Cana, kjo ishte hera e dytë që pësonte një humbje në minutën e 92 përballë Portugalisë dhe ashtu si atëherë, ai pranoi se e kishte të vështirë ta kapërdinte. “Me skuadra të tilla, nëse ul 1% përqendrimin apo kur mendon më herët që ke fituar ndeshjen, mund ta pësosh. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Skuadra jonë ka bërë një lojë dinjitoze, në pjesën e dytë ktheu lojën. Por me eufori më shumë sesa duhet, rrezikuam dy herë. Mund ta kishim pësuar në pjesën e parë apo në kundërsulmin që nuk duhej ta kishim lejuar. Por e pësuam në fund, kur menduam se ndeshja ishte mbyllur, u goditëm me një goditje nga këndi. Më vjen keq për djemtë në fushë, por nuk mund të kritikohet ekipi që provoi të fitonte ndeshjen. Nga dëshira e madhe për të arritur diçka, rrezikuam. Është e vështirë ta kapërdish, por është diçka që duhet të shërbejë si shembull për të ardhmen”, ishte mesazhi i kapitenit.


Ky shkrim De Biazi: Ishim mendjelehtë dhe euforikë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.