TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike padit sot në prokurori deputetin e Partisë Socialiste, Armando Prenga, pas konfrontimit fizik mes tij e deputetit demokrat Edi Paloka. Grupi i PD deklaron se Prenga goditi për shkak të detyrës.

Sipas një njoftimi nga Grupi i PD “padia është e shoqëruar edhe me videon me pamje të skenës së dhunës, kur shquhen qartë veprimet agresive të deputetit socialist Armando Prenga. Ndërkohë, ngjarja është shumë e njohur për publikun, sepse ajo është transmetuar në të gjitha mediat elektronike të vendit”. Ngjarja ndodhi gjatë seancës së sotme parlamentare, seanca e parë kjo që grupi i Partisë Socialiste vinte në Kuvend, pas ngjarjeve të 21 janarit.

Edhe grupi i Partisë Socialiste ka dorëzuar sot në Prokurori një padi për ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Duket se debatet e nxehta në seancën e sotme të Kuvendit, të jenë spuntot e kësaj padie. Socialistët akuzojnë ministrin se I ka kërcënuar për shkak të detyrës.
(m.a/BalkanWeb)