Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë përgjatë gjithë natës së mbrëmshme kanë krijuar sërish probleme në disa zona në veri dhe verilindje të vendit. Disa nga akset rrugore në qarkun e Korçës vijojnë të mbeten sërish të bllokuar ndërsa në kse të tjera qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.

 


Sipas informacioneve më të fundit komuna e Leksasit në Korçë vazhdon të jetë e bllokuar nga dëbora ndërsa prej 9 ditësh në këtë komunë mungon edhe energjia elektrike. Gjithashtu mësohet se aksi rrugor Korçë-Dardhë mbetet i bllokuar, ndërsa akset Korçë-Ersekë,Ersekë-Leskovik dhe Korçë-Voskopojë kalohen vetëm me zinxhirë.

 


Probleme nga reshjet e dëborës ka pasur edhe në qarkun e Kukësit ku qarkullimi i automjeteve po bëhet me vështirësi ndërsa  disa akse vijinë të mbeten të bllokuara. Kështu disa nga asket e bllokuara në Kukës janë Krume-Bajram Curri, Bajram Curri-Qafe Morinë, Kukës-Peshkopi, Kukës- Shishtavec.


Në Dibër reshje të dendura të dëborës kanë nisur në komunat Ostren, Trebishtë dhe në zonën e Martaneshit, të cilat prej 9 ditësh vazhdojnë të mbeten të bllokuara, duke vështirësuar dhe më shumë jetesën e banorëve atje.

 


Ndërkohë pritet që në ditët në vijim situata të përkeqësohet pasi sipas të dhënave më të fundit nga metereologët parashikohen reshje dhe temperatura të ulëta në ditët në vazhdim.