Teatri Kombëtar i Kosovës nuk është se nuk ka qenë aktiv gjatë vitit 2009. Por, cila ka qenë shfaqja më e shikuar gjatë vitit 2009? Befasi apo jo, shfaqja më e shikuar gjatë vitit 2009 ishte shfaqja “Dejzilend”, e regjisorit Agon Miftari, ku luajnë aktorët Ilire Çelaj, Ernest Malazogu, Yllka Gashi, Adriana Matoshi, Ylber Bardhi. Premiera e kësaj shfaqje ishte dhënë më 24 shkurt të vitit 2009. Shfaqja “Dejzilend” në tërësi ka mbledhur rreth 1600 shikues, duke pasur konkretisht 13 repriza. Pas “Dejzilend” vjen shfaqja “Vdekja dhe Vasha” e regjisorit Fatos Berisha, pastaj shfaqja e trashëguar nga një vit më parë “Çifti Martin”, në regji të Bekim Lumit dhe pas saj vjen shfaqja “Bodrumi”, në regji të Fadil Hysaj.

Dorëheqja e vitit 2009!

Dorëheqja e vitit 2009 në kulturën kosovare mund të konsiderohet ajo e ish – Drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi. Zgjedhja e drejtorit të këtij institucioni ishte histori në vete duke u anuluar për dy herë. Madje edhe ardhja e Krasniqit në TK ishte konsideruar si sjellje e një emri nga politika për shkak të afërsisë së tij me LDK. Mirëpo pak ditë pas ardhjes së tij, problemet me politikën sa u rritën. TK ndaloi mbajtjen e mbledhjeve komemorative. Në fund Krasniqi dha dorëheqje për shkak të ngushtimit të hapësirës për veprim, ndërhyrjeve politike në punët e menaxhmentit të TKK-së dhe burokracisë së MK.

“2012” filmi më i shkuar në Kino “ABC”

Ashtu edhe siç ishte pritur, filmi më i shikuar për vitin 2009 në Kino “ABC”, në Prishtinë, ka qenë filmi “2012” i regjisorit Roland Emmerich. Ky film ka mbledhur 12 mijë shikues në Kino “ABC” në Prishtinë. Ngjarja në film ka në qendër të vëmendjes një familje që niset për pushime në dhjetor të vitit 2012, koha kur përfundon kalendari i popullit të lashtë të Majave. Me dekada të tëra njerëzit kishin profetizuar që fundi i botës do të vinte kur të përfundonte ky kalendar. Filmi i zhanrit aksion/aventurë/triler, i cili zgjat dy orë e 23 minuta, në rolet kryesore ka aktorët John Cusack dhe Amanda Peet. Ndërsa filmi me numër më të vogël të shikueshmërisë premierë hollywoodiane ka qenë filmi ”The International”.
Nga filmat shqiptarë veçojmë “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kumbaro, me 570 shikues.

Amaneti i Clown –it, kënga e vitit 2009

Një këngë e cila i preki të gjitha. Një këngë e cila u bë himn i gjithë atyre që janë kundër korrupsionit. Një këngë e cila mbetet halë në sy për të gjitha partitë politike. Një këngë ku secili e gjen veten dhe përmes saj shfaq mllefin, rebelimin dhe pakënaqësinë me situatën e krijuar në vend. Është fjala për këngën e bendit “Troja” e titulluar “Amaneti i Clownit”. Express lirisht mund të thotë se kësaj kënge i takon epiteti Kënga më e mirë gjatë vitit 2009.


Super700 koncerti i vitit 2009

Pas shumë pritjeve në Kosovë performoi bendi gjerman, i njohur me emrin Super700. Super700, jo shumë i njohur për Kosovën, erdhi nga qyteti i Berlinit, ndërsa cilësohet si një emër i madh në nëntokën muzikore të këtij qyteti. Super 700 ka performuar në muajin tetor në teatrin “Oda” në kuadër të Javës Gjermane të Filmit. Një ditë më vonë ata performuan për koncertin humanitar “Jam për Lopën”. Bendi përbëhet nga Ibadete Ramadani – vokal, Johannes Saal - kitare, Simon Rauterberg – keyboard, Michael Haves - bas dhe Sebastian Schmidt – daulle.