Ministria e BrendshmeMinistria e Brendshme ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të Partisë Demokratike lidhur me situatën e rendit dhe sigurisë në vend.

Në një komunikatë për media, MB-ja i cilëson komentet e opozitës si "sulme politike nga tellallët e gatshëm të zyrave të SHQUP-it".

Reagimi i ministrisë:
"Tellalli i gatshëm i zyrave të SHQUP-it e nisi këtë vit të ri në të njëjtin avaz siç e mbylli atë që shkoi, me shpifje e sulme për Policinë e Shtetit dhe ministrin e Punëve të Brendshme. Edhe pse të kapur në flagrancë në mënyrë të përsëritur si gënjeshtarë, SHQUP-istët nuk e ndalin dot vesin e përbaltjes së policisë, edhe në ato raste kur nuk ka vend për politikë. Puna e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme flet shumë më qartë e fortë se çdo deklaratë politike. Rezultatet e luftës kundër informalitetit, paligjshmërisë e kriminalitetit janë aq evidente sa mbi 1000 konferencat e shtypit të SHQUP-it të mbledhura bashkë nuk e fshehin dot. Sulmet politike të këtij lloji janë konfirmimi më i mirë se jemi në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë më të drejtë, më të paqtë e më të sigurt".

(12:38) PD: Situatë dramatike, policia të marrë masa

Partia Demokratike e cilësoi si dramatike situatën e rendit dhe sigurisë në vend dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit të marrë masa.

Në një dalje para medieve, kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se bilanci prej tetë personash të vdekur në dy ditët e para të vitit dëshmon edhe një herë përkeqësimin e rendit dhe sigurisë.

"Një krim i dyfishtë në Sarandë u shënua në orët e para të vitit 2016. Shtetasja Lina Uzo u ekzekutua nga bashkëshorti, edhe pse ajo kishte një urdhër mbrojtjeje si pasojë e dhunës që ushtronte bashkëshorti i saj", u shpreh Alibeaj, duke përmendur një më një të gjitha krimet dhe aksidentet e ndodhura gjatë këtyre ditëve.

"Duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave - vijoi ai -, u bëjmë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit të marrin menjëherë masat për t'u dhënë mbrojtjen e duhur viktimave të dhunës në familje, për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritur forcën parandaluese përmes shërbimeve të informacionit. Partia Demokratike inkurajon punonjësit e policisë, të cilët, ndonëse ndihen të tradhtuar nga drejtuesi më i lartë i tyre, ministri i Brendshëm i skeduar nga të gjithë shërbimet e vendeve partnere si bashkëpunëtor i trafikantëve, të vazhdojnë me përkushtim punën e tyre në shërbim të qytetarëve, ruajtjes së rendit dhe sigurisë".

Në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Lushnjë-Berat humbi jetën një 17-vjeçar, dhe po më 1 janar një 18-vjeçar vdiq në aksin Lin-Pogradec. Katër të rinj u plagosën dhe fatkeqësisht njeri prej tyre ndërroi jetë në një aksident në rrugën Velipojë-Shkodër, ndërsa në Tiranë një efektiv i policisë mbeti i vrarë si pasojë e një aksidenti në Sauk. Në fshatin Drisht të Postribës, dy vallezër u ekzekutuan me armë zjarri rreth mesditës së të shtunës, kurse në mbrëmje në aksin kombëtar Lezhë-Shkodër u qëllua për vdekje me armë zjarri një ish-polic rrugor.