Nëse dikush interesohet që ta shohë nga afër origjinalin e Deklaratës së pavarësisë së Kosovës, një dëshirë e tillë ka pak gjasa t’i realizohet. Kjo për faktin se Deklarata e pavarësisë dhe penat me të cilat u nënshkrua ajo, nuk janë të ekspozuara për vizitorët. Ato që nga 17 shkurti i 2008-s, vazhdojnë të qëndrojnë në një nga sirtarët e zyrës së kryetari të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Një fat të tillë e kishte përcjellë ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Kaqusha Jashari, e cila ka qenë nënshkruese e deklaratës së pavarësisë. Në përvjetorin e katër të pavarësisë, ajo kishte menduar që ta vizitonte dokumentin me të rëndësishme të shtetit, pjesë e së cilës është edhe ajo vetë. Mirëpo kjo dëshirë nuk i ishte plotësuar, pasi Deklarata e Pavarësisë nuk është e ekspozuar për vizitorë, madje as për nënshkruesit e saj. “Deklarata e pavarësisë si një dokument historik nuk e ka vendin nëpër zyra të Kuvendit, por në një muze ku secili qytetar do të mund ta vizitonte”, ka thënë ajo. Jashari kërkon që sa më parë të krijohen kushtet dhe ky dokument të vendoset në Muzeun e Kosovës.


“Gjeneratat e reja duhet me pa atë dokument, pra duhet të kenë mundësinë ta vizitojnë sa herë të duan”, ka shtuar ajo.
Në shtetet demokratike dokumentet e rëndësishme të shtetit vendosen nëpër Muze, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi t’i shohin nga afër ato. Mirëpo kjo praktikë nuk po përdoret edhe në vendin tonë. Një kërkesë e drejtuesve të Muzeut të Kosovës, bërë para tre vjetësh, për vendosjen dhe ruajtjen e Deklaratës së Pavarësisë dhe penave më të cilat është shkruar ajo në Muzeun e Kosovës, ka mbetur pa përgjigje. Drejtori i Muzeut të Kosovës, Shafi Gashi, thotë se asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje në lidhje me kërkesën që ka bërë menaxhmenti i Muzeut. Ai nuk i di arsyet pse ende nuk është marrë parasysh kjo kërkesë. “Para tri vjetësh ka pasur një kërkesë që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës të ekspozohet në Muzeun e Kosovës, mirëpo nuk është pranuar kërkesa, por as arsyet e refuzimit nuk janë dhënë”, ka thënë ai. Por Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, thotë se Muzeu i Kosovës në kohën kur kishte bërë kërkesën për vendosjen e deklaratës së pavarësisë në Muze, paraprakisht kishte kërkuar sigurimin e sigurimit te kushteve për ruajtjen e deklaratës se pavarësisë. “Ata e kanë përmendur sigurimin e një qelqi me veti te veçanta te sigurisë, si për nga drita ashtu edhe për sigurime fizike te të njëjtës. Poashtu kanë përmendur edhe nevojën e sigurimit fizik ditor për ruajtjen eventuale nga ndonjë tentative jo e mire”, ka thënë Krasniqi. Pas kësaj kërkese sipas tij, drejtuesit e Muzeut të Kosovës nuk ishte interesuar më fare në lidhje me këtë çështje. “Nga atëherë më nuk janë interesuar fare”, ka thënë Krasniqi.


Mirëpo drejtues të Muzeut këmbëngulin se deklarata e pavarësisë e ka vendin në Muzeun e Kosovës. “Me ekspozimin e një ekspozite të përhershme historike gjithsesi edhe deklarata do ta ketë vendin në Muze. Ne strategjinë e Muzeut të Kosovës është edhe rirregullimi i ekspozitës së përhershme historike dhe në atë rast ne do të bëjmë kërkesën përsëri që Deklarata e pavarësisë të jetë në Muzeun e pavarësisë”, ka thënë Gashi.


Se deklarata e pavarësisë e ka vendin në Muze, deklarohet edhe historiani, Frashër Demaj. Sipas tij, të gjitha materialet e rëndësishme shtetërore patjetër duhet të jenë të vendosura ose nëpër arkiva ose në Muze. “Deklarata e pavarësisë si e tillë duhet të jetë në Muze. Po ashtu ajo duhet të jetë e mbrojtur në kushtet edhe në rrethanat të cilat e favorizojnë ruajtjen e një dokumenti që për ne është monument i rëndësishëm si dhe për gjeneratat që do të vijnë pastaj”, thotë Demaj. Deklarata e Pavarësisë është miratuar më 17 shkurt të vitit 2008. Atë e ka lexuar kryeministri i atëhershëm dhe i tashëm, Hashim Thaçi. Shteti është shpallur nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, ndërsa i pari që ka vënë firmën mbi Pergamenën e Pavarësisë, ka qenë ish-presidenti, Fatmir Sejdiu.


Deklarata e pavarësisë është miratuar me aklamacion, me 109 vota për dhe asnjë kundër. Sejdiu e pati cilësuar atë ditë të diel, si ditën që ndan historinë e Kosovës në dysh: në epokën para dhe pas pavarësisë.


Një kopje e Deklaratës së Pavarësisë i është dhuruar Arkivit të Kosovës e një tjetër Bibliotekës Kombëtare. Shumë personaliteteve u është dhënë në format më të ngushtë, e shumë zyrtarë të lartë të shtetit e mbajnë në pjesët ballore të zyrave të tyre. Tekstin e Deklaratës së Pavarësisë e ka vënë mbi pergamenë, artisti Shyqri Nimani. Disa prej nënshkruesve të këtij dokumenti tashmë kanë ndërruar jetë. Të tjerët, si Kaqusha Jashari, ende e ndiejnë nevojën që një ditë kur të dalin për të shëtitur nëpër Prishtinë, me nipa e mbesa për dore, t’i çojnë në Muze e t’u tregojnë se si ka hyrë në histori gjyshja apo gjyshi i tyre. /Tribuna/