Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë,Jozefina Topalli dhe Kryetari i Parlamentit të Polonisë, Bronislaw Komorowski u shprehën për mediat se:



 
Kryetarja e Kuvendit,Jozefina Topalli Unë sot jam ndier e nderuar, si Kryetare e Kuvendit, që të pres në vizitë zyrtare Presidentin e Parlamentit të Polonisë, zotin Komorowski, në krye të një delegacioni të rëndësishëm parlamentar. Kjo vizitë koincidon me një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Parlamentin e Shqipërisë, për Shqipërinë, për historinë e Shqipërisë. Në fakt, nuk është një rastësi përzgjedhja e kësaj date dhe e këtij momenti të vizitës së Kryetarit të Parlamentit polak në Shqipëri, sepse ai, më shumë se çdo gjë, e konsideron këtë si një takim midis dy anëtarëve të NATO-s.


Gjej rastin të falënderoj Presidentin Komorowski për mbështetjen e palëkundur që Polonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe të përpjekjeve integruese të Shqipërisë. Polonia është një vend shumë i rëndësishëm në Bashkimin Europian, një faktor jashtëzakonisht vendimtar dhe pozicioni i saj i palëkundur për të mbështetur Shqipërinë në procesin e marrjes së ftesës për në NATO dhe sot të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, natyrisht, është një kontribut i jashtëzakonshëm, për të cilin shprehim mirënjohjen tonë.


 Bashkë me Kryetarin Komorowski kemi gjetur mirëkuptimin për të vazhduar nga të dyja anët bashkëpunimin e fuqishëm midis komisioneve parlamentare, midis grupeve të miqësisë. Në shkëmbim të eksperiencave gjetëm gatishmërinë për ta mbështetur Shqipërinë në sfidat e tjera të rëndësishme dhe në garat e tjera të ardhshme, të cilat ne do ti fitojmë.


 
Kryetari i Parlamentit të Polonisë,Bronislaw Komorowski Dëshiroj tju falënderoj për ftesën që më bëtë për të vizituar Shqipërinë!

Polonia, si një nga vendet e ish-kampit socialist, ishte e para që u shkëput nga kthetrat e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ishte e para që filloi rrugën e re drejt lirisë. Për Poloninë elementi më i rëndësishëm ishte anëtarësimi në NATO dhe, më vonë, në Bashkimin Europian.


Kjo nuk ishte e lehtë, megjithatë, ne arritëm ta shembnim këtë perde të hekurt, që ndante Europën në dy pjesë.

 Ne ishim në grupin e vendeve të para që hynë në strukturat e reja të NATO-s dhe të BE-së, por jemi të vetëdijshëm edhe për sakrificat që kemi bërë dhe për rrugën e vështirë që kemi kaluar për të arritur deri këtu, prandaj nuk duam ti mbyllim dyert e zgjerimit të mëtejshëm të këtyre strukturave. Përkundrazi, Polonia është plotësisht e vendosur për këtë zgjerim të BE-së dhe të NATO-s.


 Ne mbështesim në mënyrë të veçantë vendet që kanë pasur një të kaluar të ngjashme me të kaluarën tonë. Polonia e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë pranimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ajo e vlerëson shumë lart angazhimin e ushtrisë shqiptare në misionet paqeruajtëse kudo në botë dhe shpresojmë që Shqipëria në një të ardhme jo të largët, do të jetë njëkohësisht edhe anëtare e BE-së.

 Në këto përpjekje që po bën Shqipëria për anëtarësim në bllokun e BE-së është e sigurt që Polonia do të jetë gjithmonë në krah të saj. Shpresojmë shumë që në, kur të dyja vendet të jenë anëtare të BE-së, të jemi në të njëjtin mendim dhe këtë e bëjmë duke u nisur nga përvoja e përbashkët. Vendet që kanë pasur një të kaluar të ngjashme duhet të jenë bashkë në këto struktura të reja për të rifituar kohën e humbur.


 Do të dëshironim shumë që të thellohej bashkëpunimi në nivel parlamentar mes dy vendeve tona, prandaj e ftoj zonjën Kryetare të Kuvendit për një vizitë në Poloni, me shpresën që kjo vizitë eventuale do të forcojë bashkëpunimin midis dy grupeve parlamentare përkatëse në parlamentet përkatëse.


Unë u uroj shqiptarëve që ta kultivojnë atë që e lidh me Poloninë, pra jo vetëm të kaluarën e përbashkët, por edhe të ardhmen e përbashkët. Le ta mbajmë dhe ta forcojmë këtë së bashku. Përderisa keni arritur të përjetoni një përvojë kaq të vështirë, pa dyshim që e ardhmja do të jetë shumë më e bukur dhe shumë më e lehtë për ju si popull.


Kryetarja e Kuvendit,Jozefina Topalli Në fakt, ne jemi shumë optimistë.


Pyetje Kam dy pyetje: një për Kryetarin e Parlamentit të Polonisë dhe një për zonjën Topalli.

A është dakord Polonia me mendimin e komisionerit për zgjerim, zotit Olli Rehn, që Shqipëria duhet të aplikojë për statusin e kandidatit pas zgjedhjeve?

Për zonjën Topalli: a do ta merrni në konsideratë këtë opinion?


Kryetari i Parlamentit  të Polonisë,Bronislaw Kmorowski Parlamentet e vendeve të kartës kanë për detyrë ti ratifikojnë kërkesat. Në qoftë se do të shprehet një kërkesë e tillë, ju siguroj se Parlamenti polak do ta miratojë atë. Nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e tjera që do të ketë Shqipëria në rrugën drejt pranimit në BE, sepse jo të gjitha vendet anëtare të BE-së, si Polonia, janë në të njëjtën linjë, pra për zgjerimin e Bashkimit Europian. Shqipëria po ndjek të njëjtën rrugë që ka ndjekur Polonia më parë për pranimin në NATO dhe më pas për aderimin në BE.

Ju, në rastin e Polonisë, u ndërgjegjësuat plotësisht. Praktika ka treguar se një vend në momentin që bëhet anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut nuk ka sesi të mos jetë njëkohësisht edhe anëtar i Bashkimit Europian. Jam i sigurt se Shqipëria me rrugën që ka nisur, së shpejti do të jetë partnere e Polonisë jo vetëm në kuadrin e NATO-s, por edhe në atë të Bashkimit Europian.


Kryetarja e Kuvendit,Jozefina Topalli E thënë kjo nga një prej personaliteteve më të rëndësishme të jetës politike të një vendi, që ka një zë shumë të fortë në Bashkimin Europian, është shumë inkurajuese për ne, ajo që na bën të vazhdojmë të kujdesemi jo çdo ditë, por çdo orë dhe çdo minutë për detyrimet e anëtarësimit. Ky vullnet politik ka bërë të mundur që të shfaqen dhe të tregohen në çdo kohë gjithnjë edhe më shumë rezultate të qarta të zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetme dhe të rrisim potencialet tona për të dëshmuar se jemi në gjendje të marrim përsipër obligime për negociatat e anëtarësimit.

Dy janë momentet kryesore, që na bëjnë të ndjehemi mirë për procesin, për garën e artë të ardhshme:


I pari, është ratifikimi i MSA-së nga të gjitha vendet e BE-së. Ndoshta jo të gjithë e kuptonin domethënien e asaj që po ndodhte në parlamentet dhe senatet e vendeve anëtare të BE-së, por votimi i secilit prej këtyre institucioneve: qeverive, parlamenteve dhe senateve të të gjitha vendeve anëtare të BE-së ishte besim, mbështetje, inkurajim për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit.


Momenti i dytë ka të bëjë me anëtarësimin në NATO. Ashtu siç thotë edhe Presidenti Komorowski, një vend që bëhet anëtar i Organizatës së Atlantikut të Veriut ka shanse shumë më të mëdha se ndonjë vend tjetër, që nuk është anëtar, për të përshpejtuar procesin e vet të anëtarësimit. Sot, ne jemi dhjetë ditë larg ditës së shikimit të Shqipërisë në tryezën ku janë të gjithë faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe ku Shqipëria pranohet si anëtare me të drejta të plota dhe detyrime në Aleancën e Atlantikut. Kjo është gara e parë që kemi fituar, por do të fitojmë edhe gara të tjera në vazhdim.


Falemnderit!