Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Tre të pandehurit kryesorë, të cilësuar si përgjegjës për tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008 në Gërdec, kërkojnë gjykim të shkurtuar. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura në ambientet e Gjykatës së Tiranës. Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli kanë kërkuar, përmes avokatëve të tyre, gjykim të shkurtuar, por pa pranuar akuzat. Gjykata është njohur për mëse katër orë me kërkesat e mbrojtjes, më pas ka shtyrë procesin për të marrë një vendin, i cili do të komunikohet në seancën e ardhshme.



Seanca



Avokati mbrojtës i ish-drejtorit të kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, kishte paraqitur pranë trupit gjykues kërkesën për gjykim të shkurtuar për klientin e tij. Vetëm pak minuta më pas një tjetër kërkesë për gjykim të shkurtuar u dorëzua nga avokati mbrojtës i administratorit të fabrikës së demontimit ‘Albademil’, Mihal Delijorgji. Më pas erdhi dhe kërkesa e mbrojtësit ligjor të ish-drejtorit të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli. Vetë tre të pandehurit, të cilët ndodhen në gjendje arresti, nuk ishin të pranishëm në seancë. Një tjetër kërkesë nga tre të dyshuarit si përgjegjës të tragjedisë së 15 marsit të vitit të shkuar në Gërdec ishte printimi i dosjes voluminoze dhe vënia e saj në dispozicion të tyre. Pas administrimit të kërkesave të mbrojtjes, treshja gjykuese shtyu seancën.



Akuzat



Ata akuzohen për “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e më shumë se një personi” si dhe shpërdorim detyre”. Kërkesa për gjykim të shkurtuar do të thotë se të pandehurit kanë pranuar akuzat në bazë të akteve që ndodhen në dosjen për gjykim në ngarkim të tyre. Do të jetë trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, i cili do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e të pandehurve apo jo. Në fashikullin për gjykim të grupit hetimor janë dhënë provat me të cilat prokuroria do të paraqitet në këtë gjykim për të pretenduar fajësinë e 29 të pandehurve, mes të cilëve ushtarakët më të lartë shqiptarë të periudhës 2005–2009. Pjesa më madhe e provave të sjella nga prokuroria, që pothuajse janë bërë publike deri më tani, i përkasin mënyrës të paracaktuar të zhvillimit të tenderit për dhënien me koncesion firmës “Albademil” për demontimin e fishekëve në Gërdec.



Të akuzuarit



Nga 29 të pandehur, të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimit “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji, dhe ish-drejtori teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësii tij, Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.

Ky lajm është publikuar: 13/11/2009