Srecko Katanec, seleksionuesi i Kombëtares së Maqedonisë ka publikuar listën për dy ndeshjet e shtatorit, të parat kualifikuese për Kampionatin Botëror 2010. Për ndeshjen kundër Skocisë dhe Holandës, trajneri slloven ndryshe nga radhët e tjera ka ftuar 20 futbollistë, por pa ndonjë ndryshim thelbësor në skuadër. Tani për së dyti herë ka ftuar mesfushorin e FC Lokerenit belg, Ertan Demiri, i cili në rast të aktivizimit do të jetë debutimi i tij i parë me fanellën e Maqedonisë. Ai në deklaratë për "Lajm" është shprehur i gatshëm për këto dy përballje të vështira. "Nëse kam munguar në ndeshjen e parë me Luksemburgun, tani jam i gatshëm për dy takimet e radhës. Lëndimi i kycit të këmbës më ka kaluar, kam zhvilluar dy ndeshje miqësore ku jam aktivizuar nga 90 minuta. Do të luaj edhe dy të tjera deri në fillim të shtatorit. Sigurisht se do të udhëtoj për këto dy ndeshje në Shkup, ku edhe shpresoj të aktivizohem", tha Demiri.
Ai ka vlerësuar se nëse mobilizohet mirë e gjithë skuadra mundë të fitojë së paku katër pikë. "Me Skocinë duhet të fitojmë tre pikë, ndërsa me Holandën edhe një barazim do të ishte sukses. Por ne edhe kundër atyre do të luftojmë për fitore", tha Demiri.
Bashkë me Demirin pritet të aktivizohet edhe Artim Pollozhani, i cili në ndeshjen me Luksemburgun luajti në 30 minutat e fundit. "Kemi një skuadër që njihet mirë mes veti. Tani ata duhet të shprehin kualitetet dhe potencialin e vërtetë. Në fillim kemi dy takime të vështira, por ne kemi ambiciet tona. Me rëndësi është të luajmë ngjashëm sikur kundër Kroacisë, Polonisë dhe Luksemburgut", ka thënë seleksionuesi i Maqedonisë, Srecko Katanec.
I vetmi hendikep në mesin e këtyre 20 futbollistëve të ftuar është Ilco Naumovski, i cili ankohet në lëndim të lehtë. Ndeshja e parë do të luhet kundër Skocisë më 6 shtator duke filluar në ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Shkup, ndërsa takimi i radhës është kundër Holandës më 10 shtator. Grumbullimi i futbollistëve do të bëhet në hotelin "Stone Bridge" deri në ora 13:00 më 1 shtator 2008.

Lista kundër Skocisë dhe Holandës
Portierë:
1. Petar Milloshevski (Enozis)
2. Tome Pacovski (Vardar)
Mbrojtje:
3. Goce Sedloski (Matersburg)
4. Igor Mitrevski (E.Cotbus)
5. Vllade Llazarevski (Polonia)
6. Goran Popov (Herenven)
7. Nikollce Novevski (Mianz)
8. Robert Petrov (Panseriakos)
9. Mirosllav Vajs (Vardar)
10. Boban Grncarov (Gent)
Mesfushorë:
11. Vllatko Grozdanovski (Vojvodina)
12. Darko Tasevski (Levski)
13. Artim Pollozhani (Vardar)
14. Banco Trajanov (Cernomorec)
15. Velice Shumulikovski (Ipsëich)
16. Ertan Demiri (Lokeren)
Sulmues:
17. Goran Pandev (Lazio)
18. Goran Maznov (Tomsk)
19. Ilco Naumovski (Matersburg)
20. Stevica Ristiq (P.Stilers)