Gjykata: Arnold dhe Kristodulu, të padëshirueshëm. Britanikët vetëquhen të pafajshëm dhe “shërbëtorë të Zotit”

Dy pedofilët britanikë, që abuzuan me të miturit e qendrës bamirëse, “Fëmijët e Tij”, janë dënuar dje nga Gjykata e Tiranës me 35 vite burg. Gjyqtarja Shefkie Demiraj ka shpallur fajtor nën akuzën e marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur shtetasin Dino Kristodulu, duke e dënuar me 20 vite burg. Gjykata ka shpallur fajtor për të njëjtën akuzë edhe Robin Arnold, duke e dënuar me 15 vite burg. Me kërkesë të prokurorisë, gjyqtarja Demiraj i ka shpallur dy shtetasit britanikë “non grata” dhe pas përfundimit të dënimit, ata do të deportohen në vendlindje. Vendimi i djeshëm ka sjellë përfundimin e dramës së 40 fëmijëve të qendrës bamirëse “Fëmijët e Tij”, të cilët për 6 vjet me radhë shuan epshet seksuale dhe pësuan metoda çnjerëzore nga David Braun, Robin Arnold dhe Dino Kristodulu.
Vendimi
Duke lexuar vetëm dispozitivin e vendimit, gjyqtarja Shefkie Demiraj i deklaroi fajtorë dy anglezët për veprën penale të “kryerje të marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur”. Demiraj tha se gjatë gjykimit u provua plotësisht kryerja e veprës penale, dhe për këtë arsye dy të pandehurit duhet të shpallen fajtorë. Një seancë më parë, Prokuroria e Tiranës u tregua më e ashpër në konkluzionet përfundimtare për dy shtetasit anglezë. Ajo kërkoi dënimin për Dino Kristodulun, me 22 vjet burg, dhe për Robin Arnold dënimin me 17 vjet burg, ndërkohë që gjykata pranoi si të përshtatshme kërkesën e akuzës për të larguar përfundimisht nga vendi ynë dy shtetasit anglezë pas vuajtjes së dënimit. Gjatë leximit të vendimit nga gjykata, i pandehuri Dino Kristodulu ka reaguar. Gjyqtarja Shefkie Demiraj ka urdhëruar togën e shoqërimit për largimin e tij nga salla e gjyqit. Ai ka këmbëngulur gjatë shoqërimit se është i pafajshëm dhe e cilësoi gjykatën si të korruptuar. Ndërkohë, gjykata në vendim ka saktësuar se fëmijët e qendrës janë rrahur, keqtrajtuar, dhunuar seksualisht dhe fizikisht.
Të pandehurit
Në fillim të seancës gjyqësore, e cila zgjati me orë të tëra, i pandehuri Robin Arnold, i cili megjithëse akuzohej për marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me të mitur, ka bërë viktimën, duke u shprehur se është ndjerë i shqetësuar kur fëmija, që sipas tij quhej Nardi, i është ofruar dhe ka kërkuar të kryejë marrëdhënie me të. Arnoldi ka pranuar se në këtë qendër ka pasur fëmijë që abuzoheshin, si dhe ka parë raste të fëmijëve që kryenin marrëdhënie seksuale me të mitur të tjerë. “Një ditë Nardi vjen te krevati im dhe fut dorën poshtë batanijes. Ai filloi të më prekte tek organi gjenital dhe më pas më puthi në buzë, duke penetruar me gjuhën e tij tek mua. Unë i thashë që kjo ishte diçka e gabuar dhe ishte dashuri e keqe. I mituri me inicialet G.B., së bashku me Nardin, më treguan një ditë me qetësi se pjesa më e madhe e fëmijëve abuzoheshin. Më vjen keq për këta fëmijë, por unë jam i pafajshëm”, ka përfunduar deklarimin e tij Robin Arnold. Ai tha se është një i krishterë i devotshëm, dhe erdhi në Shqipëri vetëm për bamirësi. Ndërkohë, i akuzuari tjetër, Dino Kristodulu, tha: “Unë dua t’i ndihmoj fëmijët, pranoj që kam bërë edhe gabime, por vazhdoj të ushqej dashuri dhe dhembshuri ndaj fëmijëve. Unë nuk mund të gënjej dot, pasi nëse do ta bëja, do gënjeja Zotin tim. Madje jam i gatshëm që t’u shërbej edhe viktimave të përmbytjeve në veri të Shqipërisë. Jam i pafajshëm”.






#