Kombëtarja Shqiptare ka humbur në ndeshjen e parë të zhvilluar në vitin 2011. Kuqezinjtë pësuan disfatë në takimin miqësor nga Sllovenia me rezultat 1:2. Këtë humbje ekipi i Josip Kuzes e pësoi në minutën e fundit nga penaltia.


Nga Express më 09 shkurt 2011 në ora 22:39

Kombëtarja e Shqipërisë nuk e ka nisur mirë vitin 2011. Kuqezinjtë janë mposhtur në ndeshjen e parë të zhvilluar në këtë vit, pasi të mërkurën mbrëma në Tiranë është mundur në takimin miqësor nga përfaqësuesja e Sllovenisë me rezultat 1:2.



Në fakt, ekipi i Josip Kuzes disfatën e pësoi në minutën e fundit të ndeshjes, kur nga penaltia Zlatko Dedic e shënoi golin e fitores për skuadrën Sllovene.



Kuqezinjtë nuk e nisën mirë takimin. Ata pësuan gol në minutën e 24-të, kur Milivoje Novakoviq e shënoi golin e parë të Sllovenisë për rezultat 0:1. Mysafirët ishin më kërcënues gjatë pjesës së parë, derisa përfaqësuesja e Shqipërisë nuk e pati asnjë rast të mirë që ia vlen të ceket. Marrë në tërësi, kjo pjesë e lojës ishte monotone.



Ndërsa, periudha e dytë e ndeshjes ishte dukshëm më energjike. Vendasit bënin përpjekje më të mëdha për ta barazuar rezultatin. Këtë synim kuqezinjtë e arritën në minutën e 62-të, kur Ervin Bulku e realizoi një gol jashtëzakonisht të bukur prej një distance të largët, pasi morri një top nga Lorik Cana.



Ky i fundit bëri një gabim të madh në minutën e fundit të takimit. Cana shkaktoi penalti në çastet e fundit të ndeshjes, kur ndërhyri në mënyrë të palejuar ndaj Zlatan Ljubijankic në zonën e rreptësisë. Ndërsa, nga pika e bardhë i saktë ishte Zlatko Dedic, i cili e shënoi golin e fitores, 1:2 për sllovenët.



Madje, kjo fitore e mysafirëve ka mundur të jetë akoma më e thellë, sepse mysafirët i kanë pasur edhe dy-tri raste tjera të mira shënimi gjatë pjesës së dytë. Admir Teli në minutën e 71-të e shpëtoi Shqipërinë pa pësuar gol të sigurt, kur topin e largoi nga vija fundore e portës kuq e zi. Ndërsa, rrjeta e portës së Arjan Beqaj për pakë sa nuk është tundur edhe në minutën e 73-të, kur Ilicic e qëlloi shtyllën nga një goditje dënimi.



Megjithatë, përzgjedhësi i kuqezinjve Josip Kuze do të ketë kohë deri në muajin e ardhshëm, kur ekipi i tij e luan ndeshjen e radhës eliminatore për ‘Euro 2012’ ndaj Bjellorusisë, për t’i korrigjuar gabimet e djelmoshave të tij që i bënë në miqësoren ndaj sllovenëve.