Qeveria e Kosovës ka prezantuar të premten projektin e saj më të ri për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.



Tridhjetë policë hetues, pesë ekspertë të fushës së tatimeve dhe shpërlarjes së parave dhe tetë prokurorë do të fillojnë një punë të re me shumë sfida – luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, duke filluar me hetime nga instancat më të larta të shtetit.



Kryeministri Hashim Thaçi u ka shpallur luftë këtyre dukurive duke vënë në dispozicion gjithë kapacitetin mbështetës të qeverisë së tij për një departament special të prokurorisë dhe hetuesisë.



Thaçi tha në mbledhjen e Qeverisë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është e lehtë, por ka shumë sfida dhe ballafaqime. Megjithatë, ai tha se Qeveria është e përkushtuar për luftimin e këtyre dukurive.



“Për të rritur efikasitetin në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Qeveria me insistimin tim, në koordinim edhe me EULEX’in ka vendosur ta forcojë Zyrën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila është themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Do të formohet një departament special që do të jetë i ngarkuar të hetojë të gjitha rastet e rënda korruptive”, tha Thaçi.



Ky departament special, sipas kreut të ekzekutivit, do të përbëhet nga tetë prokurorë, prej tyre pesë kosovarë, të cilët tashmë janë dekretuar nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe tre të emëruar nga autoritetet e EULEX’it.



Thaçi tha se do të vërë në dispozicion të këtij departamenti të gjitha resurset e nevojshme qeveritare, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete.



Sipas tij, Qeveria do të marrë përsipër përzgjedhjen dhe rekrutimin e 30 oficerëve hetues të Policisë së Kosovës, të cilët do të angazhohen drejtpërdrejt në hetimin e rasteve.

“Qeveria përmes një konkursi të hapur do të përzgjedhë edhe pesë ekspertë me përgatitje dhe eksperiencë në fushën e tatimeve, shpërlarjes së parave etj. Këta do të punojnë vetëm për nevojat e Departamentit Special Antikorrupsion”.



Kryeministri po ashtu tha se qeveria e tij është e gatshme të stimulojë financiarisht njerëzit e këtij departamenti special.



Prokurorët e këtij departamenti, që do të hetojnë rastet e rënda korruptive, do të kenë mbrojtje të afërt fizike, por edhe familjet e tyre.



Thaçi ka thënë se një gjë e tillë është e re në Kosovë, por është e nevojshme për të siguruar efikasitet të punës së këtyre prokurorëve.



Kosova ka pasur dhe ka institucione që janë përpjekur ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, por nuk kanë dhënë rezultate të kënaqshme.



Për këtë arsye, Kosova është kritikuar nga organizata ndërkombëtare.



Themelimin e këtij institucioni të ri për luftim të dukurive negative, zyrtarët qeveritarë nuk e shohin si dështim të institucioneve të tjera për luftimin e korrupsionit, por si një hap më tej në ngritjen e efikasitetit.



Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi tha pas mbledhjes së Qeverisë se mandati i këtij departamenti, ose Task-Force, dallon nga mandati që e ka Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila është formuar sipas ligjit.



“Kjo është në vazhdën e shtimit të angazhimeve të nevojshme për të luftuar korrupsionin. Ne prej fillimit si Qeveri kemi pasur një qasje me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe sukseset kanë qenë të evidentuara në të gjitha raportet. Ka pasur kërkesa që progresi i arritur të shtohet dhe të dinamizohet dhe normalisht që kjo është një përgjigje ndaj këtyre kërkesave akute, të cilat kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve evropiane dhe me luftimin e rasteve devijante dhe negative në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.