Tiranë Procesi ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit ka vazhduar dje, me pyetjen e njërit prej të pandehurve dhe leximin e deklarimeve të ish-drejtorit ekzekutiv të fabrikës së demontimit, Dritan Minxolli. Minxolli, i cili ishte i pranishëm gjatë seancës së djeshme, ka refuzuar të dëshmojë, duke detyruar kështu përfaqësuesit e akuzës të lexojnë deklarimet e tij. Në dëshmitë e Minxollit është evidentuar fakti mbi ndarjen e punëve në Gërdec. Sipas deklarimeve rezulton se Mihal Delijorgji ka qenë bashkëpronar i kompanisë “Albademil” dhe përgjigjej për anën financiare të saj, përfshi edhe investimet e nevojshme, ndërsa amerikani Patrik Henri ka qenë personi që përgjigjej për kushtet e sigurisë dhe anën teknike të fabrikës së demontimit të predhave. Roli i tij, sipas Minxollit, ka qenë ai i drejtorit ekzekutiv të fabrikës, cilësi të cilën e ka ushtruar edhe në trajnimin e punonjësve që rekrutoheshin për të qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje. Sipas prokurorisë, pjesa e lexuar dje është vetëm njëra prej dëshmive të Minxollit, pas shpërthimit tragjik në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona. Po është pyetur edhe Lavdi Shatro, ish-drejtori i Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Dëshmia e tij kishte në fokus rolin që ky kombinat ka pasur në procesin e demontimit dhe falsifikimeve të të dhënave, lidhur me koston për demontimin e predhave. Shatro nga ana e tij ka mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria, duke deklaruar se të dhënat që i ka ofruar ministrisë rreth kapaciteteve dhe kostos së demontimit në ambientet e këtij Kombinati kanë qenë reale.