20/06/2009  “Pas privatizimit punëtorët se ngritën zërin. Ata që guxuan ta bënin e pësuan keq”


Peshkatari Llambi Ndini pohoi se laguna ruhej ditë-natë nga ushtarët e Aldo Bares


Procesi gjyqësor kundër të pandehurve që akuzohen si pjesëmarrës në kryerjen e disa krimeve në emër të bandës së Lushnjës vazhdoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me paraqitjen e një dëshmitari. Llambi Ndini nga Divjaka e Lushnjës ka qenë punonjës në lagunën e Karavastasë së bashku me një numër të madh punëtorësh të tjerë. Dje Ndini i bëri një përshkrim të gjerë gjithë punës në lagunë si dhe mënyrës se si kishin firmosur një kontratë shitjeje të kënetës së Karavastasë pa e ditur që po bënin një gjë të tillë. Kështu Llambi Ndini deklaroi para disa prej të pandehurve se ka punuar në Karavasta si peshkatarë së bashku me 89 punëtor të tjerë. Që të gjithë ishin të punësuar nga ndërmarrja e peshkimit dhe në një kohë pikërisht në vitin 19967, iu desh të firmoste një kontratë. Unë mbaj mend që punoja çdo ditë dhe aty ushqenim familjen. Por një ditë kemi firmosur një kontratë pa e lexuar më pas se për çfarë bënte fjalë. Kaluan disa kohë dhe na lajmëruan se laguna ishte e shitur. Gjithashtu u interesuam se kush ishin personat që e blenë dhe ishte e qartë. Atë e kishte blerë Aldo Bare”, deklaroi kështu dhje në gjykatë Llambi Ndini. Më pas prokurori e pyeti dëshmitarin nëse e kishin kundërshtuar këtë fakt. “Sigurisht që pati edhe nga ata që e kundërshtuan. Por dihet përfundimi për të gjithë nëse ne do të ngrinim krye”, pohoi më tej dëshmitari. Edhe një herë organi i akuzës nxori se laguna u privatizua nga Aldo Bare, duke përjashtuar nga puna shumë punonjës që atje mbanin familjen. Dëshmitari tha dje se janë paguar nga 60 mijë lekë të reja në muaj, për disa kohë. Pagesat i merrnin nga Aldo Bare, i cili vet sipas dëshmitarit nuk shkonte atje, por kishte vënë persona të tjerë që kujdeseshin. Për të hyrë në lagunë në kohën kur ajo ishte pronë e Aldo Bares ishte tepër e vështirë. Laguna ishte e rrethuar nga postblloqe dhe ruhej ditë e natë. Ndërsa ai që tentonte të futej e paguante me kokë. Në bankën e të akuzuarve janë tashmë disa persona, të cilët janë gjykuar një herë në Elbasan dhe tani nga Krimet e Rënda. Mes tyre është edhe Erjon Cici një prej personave që konsiderohej në grupin e Bares tepër i rrezikshëm. Është dënuar një herë me 25 vjet dhe tashmë është duke u gjykuar për krime të tjera të kryera në bandën e Aldo Bares. Ky i fundit është izoluar në një burg të sigurisë së lartë në Turqi, ku pritet që në kohët e ardhshme autoritete turke të vendosin nëse do e ekstradojnë në Shqipëri apo jo.


Laguna, 80 punonjës kërkuan heqjen e sekuestros


Në vitin 2004, Prokuroria i kërkoi gjykatës vendosjen e sekuestros konservative për lagunën e Karavastasë. Ishin këta punonjës, të cilët donin të riktheheshin në punë për një arsye. Ata e kishin të vetmin burim jetese peshkimin dhe në këtë mënyrë i shkruan kryetarit të Krimeve të Rënda dhe Kryeministri e ministrit të Financave. Por vendimi për sekuestron u mor dhe tashmë menaxhohet nga shteti. Laguna e Karavastasë u privatizua nga Aldo Bare jo në emrin e tij, por të një femre, emri i së cilës doli vetëm pas hetimeve të kryera nga akuza. Në gjykatë avokati i Bares kundërshtoi sekuestron e vendosur duke pretenduar se gjithçka ishte e bazuar në ligj.


Aldo Bare, gjykim më vete


Është i arrestuar në Ankara Turqi dhe shumë shpejt pritet të ekstradohet për t’u gjykuar nga Krimet e Rënda. Të paktën kështu kanë pohuar autoritetet e drejtësisë të vendit tonë. Aldo Bare do të gjykohet më vete dhe nga një trup gjyqësor,e e cila përmbahet nga gjyqtarë të Shkallës së Parë të Gjyqësorit, për faktin se Krimet e Rënda nuk mund të formojnë trup gjyqësore për këtë çështje. Edhe Bare duket se pas vonesave për ekstradim do të gjykohet në mungesë. Për të dhe për pjesën më të mëdha te grupit është në gatishmëri avokati Vladimir Meçi, i cili nuk e ka tradhtuar asnjëherë.


Dondollaku, dënim me 25 vjet


Vetëm pak ditë më parë Krimet e Rënda dënuan me 25 vjet burg krahun e djathtë të Aldo Bares. Enver Dondollaku, i cili është duke vuajtur një tjetër dënim me 16 vjet burg në Itali u dënua me 25 vjet burg. U gjykua në mungesë dhe për faktin se pranoi gjykimin e shkurtuar ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm. Është shprehur se nuk dëshiron të kthehet në vendin e tij për të vuajtur dënimin. Ndërkohë që vendimi i dhënë nga Krimet e Rënda do të ankimohet në Apel nga avokati, i cili nuk e pranoi akuzën dhe në fund të gjykimit kërkoi pafajësi.