TIRANË - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dështuar edhe dje procesi në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar si anëtarë të bandës së Durrësit. Shkak për dështimin e seancës janë bërë avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilët kanë kërkuar kohë për të paraqitur kërkesat paraprake. Në këto kushte, trupi gjykues, i kryesuar nga Gurali Brahimllari, e ka pasur të pamundur të zhvillojë procesin, duke e çuar në 27 numrin e seancave të shtyra që nga fillimi i gjykimit. Procesi në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar për krime të ndryshme në qytetin bregdetar ka nisur që më 5 korrik të vitit të kaluar. Por që nga nisja e tij ky proces ka shënuar një numër rekord shtyrjesh, duke mos bërë të mundur zhvillimin normal të gjykimit. Të akuzuarit e kësaj dosjeje janë: Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale si vrasje, vjedhje, grabitje, rrëmbim personi, trafik lëndësh narkotike etj.



6 Qershor 2008