Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Tiranë ka reaguar dje ndaj bllokimit të pasurive që janë në pronësi të Damir Fazlliçit duke i cilësuar “arbitrare dhe me pasoja” veprimet e prokurorëve që po hetojnë për pronat e biznesmenit boshnjak. Në deklaratën e shpërndarë dje, Dhoma shprehet se “pas ankesave që ka marrë, rezulton se në ngutje e sipër prokurorët Besnik Cani dhe Dritan Rreshka kanë urdhëruar edhe bllokimet e llogarive dhe pasurive të bizneseve të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje.


Si rezultat, është urdhëruar në mënyrë abuzive me vendimin e prokurorisë të Tiranës i datës 09.10.2008 dhe me nr. protokolli 6093 bllokimi i llogarive bankare të kompanisë “Global Construction” sh.a dhe asetet e kompanisë “Megatek” sh.a., duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale dhe morale për to”.


Duke dalë në mbrojtje të biznesit, Dhoma e Tregtisë e Tiranës i kërkon prokurorisë së Tiranës të zhbllokojë këtë situatë të cilën ajo e konsideron absurde dhe të heqë sa më parë sekuestron për këto dy kompani. Sipas argumentimit të Dhomës, “me këtë veprim cenohet rëndë klima e biznesit dhe garancia e investitorëve vendas”. Duke marrë anën e biznesmenit Fazlliç, Dhoma e Tregtisë, si institucion përfaqësues i biznesit, i kërkon në emër të tij prokurorëve që të punojnë konform ligjeve në fuqi për raste të ngjashme kur sipas saj, “bizneseve të ndershme u shkaktohen përveç dëmeve materiale, edhe një dëm akoma më të madh moral”. Në fund të deklaratës bëhet e ditur se “nisur nga ky rast, Dhoma e Tregtisë do të iniciojë një rishikim të bazës ligjore që rregullon këto marrëdhënie për të krijuar një kuadër sa më preciz në këtë drejtim dhe për të evituar përsëritjen e këtyre ngjarjeve në të ardhmen”.