Elsa Ballauri 

Dy vrasje nuk janë pak në një periudhë dyjavore gjatë këtij procesi parazgjedhor. Zeka në Durrës, Keka në Malësinë e Madhe, persona që ishin të lidhur me politikën: i pari simpatizant aktiv i PD-së, i dyti në kryesinë e PDK-së. Nuk dua të merrem me procesin e të vërtetës mbi vrasjen e dy ditëve më parë: ky është obligim i organeve të drejtësisë  që janë të detyruara ta zgjidhin sa më parë. Ajo që më duket se fiton një vlerë negative për këto raste, është se sa me lehtësi përdoret dhuna, qoftë për të manipuluar, qoftë për të drejtuar vendin, qoftë për të fituar vota dhe qoftë për të hequr qafe kundërshtarë ekonomikë. Dhuna ka qenë një mjet efikas në të dyja këto raste për të realizuar qëllime të caktuara: këto mund të jenë politike, mund të jenë ekonomike, mund të jenë si rezultat i një gjendjeje psikologjike të caktuar, që vjen nga lodhja, nga inati, nga mëri të vjetra. E përbashkëta është që në këto raste, dhuna ka qenë mjet i natyrshëm i realizimit të një qëllimi.
Përdorimi i dhunës duket sikur merr pozicion më të qëndrueshëm, më të natyrshëm dhe humbja e një jete njeriu thjesht përkufizohet nga të tjerët që janë gjallë me një: “Ia deshte koka”, apo “ashtu do të ndodhte”… Kjo lloj pamje të sjell ndër mend Amerikën e viteve ‘20-‘30, kur vrasjet e kundërshtarëve ishin mjeti më i mirë për të vazhduar procesin e zgjerimit të influencave. Shqipëria e sotme, mesa duket ende nuk është çliruar nga prangat e tiranisë së egërsisë dhe violencës.
Kundërshtarët, manipulatorët, mashtruesit politikë, inatçinjtë, të gjithë ata që nuk duan dhe nuk e kanë asimiluar dot procesin e politikës si një pjesë normale, ku ka vend për gëzime dhe zhgënjime, ku ka vend për fitues dhe të humbur, ku ka vend për diplomaci dhe tolerancë, për mirëkuptim dhe humanizëm, pra këta njerëz, natyrisht që mbeten pré e pashmangshme e veprimeve të rënda, ekstreme dhe arbitrare.
Një nga këto mënyra veprimi është përdorimi i dhunës, gjë tepër e thjeshtë për t’u kryer, që nuk kërkon ndonjë filozofi lodhëse, tepër efikase për të arritur një qëllim kapital dhe fatkeqësisht… tepër e pranueshme për shumicën. Me dhimbje e pranoj këtë të fundit, por e gjithë e kaluara dhe e tashmja jonë vërej se drejtohet hapur ose fshehurazi nga dhuna. Ajo është e pranishme në mënyrën e edukimit, e marrëdhënies së femrës dhe mashkullit në familje, e marrëdhënies së vëllait dhe motrës, e prindit që e përdor “drurin” sa herë të mundet mbi kurrizin e fëmijës së vet, tek ajo që nuk dimë se mund t’i drejtohemi njëri-tjetrit me “të lutem”, tek ajo që nuk dimë të themi “më fal”, tek ajo që i bën fëmijët shqiptarë të argëtohen duke vrarë zogj dhe duke torturuar macet dhe qentë e rrugës, tek ajo që i bën të padurueshme debatet televizive pseudointelektuale kur askush s’hap rrugë, sepse askush nuk e dëgjon tjetrin, por kërkon vetëm të imponohet me “xhevahiret” e veta…
   Dhuna është pjesë shumë e shprehur e jetës shqiptare, madje metoda më e konsoliduar e procesit tonë të zhvillimit mendor. Metodat e tjera duket sikur dështojnë menjëherë e janë jo efikase, ndërsa ato që karakterizohen nga parimet e fuqishme të humanizmit, diplomacisë së hollë, nevojës njerëzore për bashkëpunim, tolerancë, falje, mirëkuptim, …këto janë metoda që përpiqemi t’i imitojmë, por nuk i ndjejmë dot si tonat, nuk i asimilojmë dot dhe ç’është më e keqja, nuk i transmetojmë dot tek fëmijët tanë.
Natyrisht që njerëzit vdesin përditë, por kjo shkon sipas parimeve të natyrës, kësaj s’i bëjmë dot gjë. Por në vendet ku njerëzit eliminohen nga të tjerë njerëz, qoftë në prag fushate elektorale, qoftë pas fushate, apo qoftë në një kohë të qetë të vitit, atëherë duhet të shqetësohemi se teoria jonë e të udhëhequrit, e procesit të mbarëvajtjes, e përpjekjeve për t’u ingranuar në një shoqëri tjetërsoj me parime të fuqishme demokratike, nuk do të funksionojë dot. Do të gënjejmë veten përditë dhe ndërkohë koha do të ecë përpara dhe ne do kuptojmë se nuk kemi bërë aq sa duhet për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të krijuar një të ardhme të sigurt. Parimi i dhunës, i fshehur thellë në psikologjinë shqiptare si një mjet prepotent i realizimit të aspiratave, do të na dominojë gjithmonë e më shumë. Në vrasje të tilla si ato të ndodhurat këto ditë, natyrisht që është shumë e rëndësishme të merret drejtësia, madje pa qenë e shtyrë nga shoqatat e të drejtave të njeriut, pa qenë e shtyrë nga këshillat e partive. Institucionet në këtë rast duhet të tregojnë se si dinë të funksionojnë… Por kjo nuk është e mjaftueshmja. Këto janë raste për ta vënë në punë mekanizmin e mendimit të shoqërisë shqiptare, jo vetëm mekanizmin intelektual të saj (që për fat të keq s’e ka fituar dot ndjeshmërinë e duhur), por edhe atë të njerëzve të thjeshtë që duhet të shohin në veten e tyre se sa dëmprurëse është psikologjia e dhunës. Shqiptarët duhet ta quajnë për turp dhe të mos jenë të justifikuar se e kultura dhe tradita e tyre e lashtë e dhunës, do t’i ndihmojë të “kalojnë lumin” kur renditen nëpër raportet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si keqtrajtues. Dhe kjo duhet të ndodhë nga vetë njerëzit: janë ata që duhet të reagojnë për raste të tilla dhe t’iu imponohen institucioneve.
Kur një gjë e tillë nuk ndodh, procesi ynë kundërdhunë do të jetë i parealizueshëm.