5176Ultrasit e Tiranës bëjnë vandalizma në stadium dhe përplasen me policinë në Korçë


Ermal Kuka


Dhuna është ulur këmbëkryq në stadiumet shqiptare dhe ngjarje të tilla shqetësuese që shoqërojnë javë pas jave futbollin tonë, kanë kulmuar me atë që ka ndodhur dje në qytetin e Korçës. Një sfidë e ndezur gjatë javës nga deklaratat e pjesëtarëve të Skënderbeut dhe Tiranës ka degjeneruar në sharje masive, vandalizëm në stadium dhe në fund përplasje fizike mes tifozerive dhe forcave të rendit, duke shkatërruar përsëri imazhin e fundjavës futbollistike në Shqipëri.


Që në fillimin e takimit të luajtur në qytetin e Korçës, dy tifozeritë e Skënderbeut dhe Tiranës, nuk kanë humbur rast për të fyer njëra-tjetrën. Nuk kanë mjaftuar as ndërprerjet e vazhdueshme të lojës dhe thirrjet për qetësi të kapitenëve të skuadrave, pasi situata e tensionuar ka vijuar deri në përfundimin e pjesës së parë. Është dashur ndërhyrja e donatorit të Tiranës, Ndriçim Babasi, që rreth 200 ultrasit e Tiranës, Fanatics, të qetësoheshin disi dhe të mos kërkonin vazhdimisht konfrontime me tifozët vendas apo me forcat e policisë. Por me humbjen e Tiranës, situata ka degjeneruar në akte vandalizmi të mirëfillta. Tifozët e Tiranës kanë shkulur stolat e stadiumit në pjesën ku ishin pozicionuar dhe i kanë hedhur në fushë, ndërsa nuk kanë ngurruar të kundërshtojnë forcat e policisë që kërkonin ti ndalonin.


Situata dukej sikur ishte qetësuar pas disa minutash dhe tifozët iu drejtuan autobusëve me të cilët kishin udhëtuar nga kryeqyteti drejt Korçës. Por provokimet nga tifozët vendas kanë sjellë si rrjedhojë ndalimin e një prej autobusëve të Fanatics të cilët kanë dalë në rrugë dhe kanë filluar një sherr masiv me korçarët. Skenat e dhunës kanë pushtuar për disa minuta ambientet rreth stadiumit Skënderbeu, ndërsa edhe policia ka ndërhyrë duke ndarë tifozët e të dy palëve duke përdorur forcën. Ata që e kanë pësuar më keq kanë qenë pjesëtarët e Fanatics, shumë prej të cilëve janë shoqëruar nga policia vendase në komisariatin e qytetit derisa është qetësuar situata. Më pas, tifozët e Tiranës, të shoqëruar nga forcat policore dhe nga ato të RENEA-s, janë larguar nga qyteti i Korçës.


Ngjarjet e djeshme konfirmuan edhe një herë se futbolli shqiptar tashmë kanë rënë viktimë e mirëfilltë e dhunës dhe vandalizmit. Rregullsia me të cilën këto ngjarje shfaqen në stadiumet tona, e bëjnë më shqetësuese situatën. Mjafton të shohësh gjeografinë e dënimeve të dhëna në këtë sezon nga Komisioni i Disiplinës për të kuptuar se ky nuk është fenomen i izoluar dhe thuajse çdo ekip që luan në Kategorinë Superiore, ka marrë një dënim për ngjarje dhune nga ana e pjesëtarëve të ekipit apo tifozëve. Ndaj dhuna e djeshme është fatkeqësisht vetëm vijueshmëri e një edicioni që për një arsye apo një tjetër, nuk po arrin të shkëputet nga ngjarje të tilla dhe po e kthen një sezon shumë të luftuar në fushë, në një sezon për tu harruar në tribuna.


Tifozeritë


Përplasjet mes tifozerive të Skënderbeut dhe Tiranës kanë filluar verbalisht që para fillimit të ndeshjes, me fyerje të ndërsjella që me hyrjen e të dy palëve në stadium. Meqë dy tifozeritë kanë qenë të izoluara nga njëra-tjetra prej forcave të shumta të policisë, dhuna ka shpërthyer masivisht vetëm jashtë impiantit


Ky shkrim Dhuna zapton futbollin shqiptar u publikua me pare te Gazeta SHQIP.