TIRANE – Dy të moshuar që nxirrnin diploma false në Ekonomik e Juridik u shoqëruan mbrëmë në Polici. Ata dyshohet se kanë premtuar nxjerrjen e diplomave në dy universitete private, në këmbim të parave. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se ka nisur procedim penal ndaj Hajrie Hanellit, 60 vjeç, nga Korça, dhe Vani Niçkës, 74 vjeç, nga Përmeti, të dy banues në Tiranë, me akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike”. Policia tha se dy personat kishin rolin e sekserit dhe u premtonin “studentëve” të interesuar se përmes njohjeve që kishin në universitetet private, do t’i pajisnin me diploma pa qenë e nevojshme të ndiqnin studimet. Të njëjtat burime thanë se Hanelli dhe Niçka, të dy me profesion arsimtarë, premtonin kryesisht diploma të Fakultetit Juridik dhe  atij Ekonomik, kundrejt shumave që varionin nga 10 mijë deri në 12 mijë euro, në varësi të universitetit ku do t’i “regjistronin”. Operacioni i mbrëmshëm, i koduar “Ekonomisti”, u realizua pas një hetimi rreth 6-mujor të kryer me metodat speciale të hetimit. Sipas burimeve, mësohet se dy sekserët u kanë premtuar të paktën 10 personave që do t’i pajisnin me diploma, por ende nuk kishin realizuar ndonjë rast konkret. Ndërsa sipas të njëjtave burime, ende nuk janë zbuluar emra konkretë pedagogësh apo drejtues universitetesh që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë. Megjithatë, mbrëmë gjatë gjithë natës, oficerët e grupit hetimor kanë marrë në pyetje disa pedagogë dhe presidentë universitetesh, për t’i pyetur në lidhje me procedimin penal të filluar nga Prokuroria rreth 6 muaj më parë. Burime të rezervuara nga Policia thanë se hetimet kanë nisur me simulim, pas dyshimeve për rolin e sekserit të dy të moshuarve. Me anë të infiltrimit, Hanellit dhe Niçkës u është kërkuar një diplomë e Fakultetit Juridik ose Ekonomik, pasi ata premtonin se kishin njohje dhe do ta realizonin pa problem. Një muaj më parë, gjatë kohës që dy arsimtarët ishin në hetim nga policia, kanë kërkuar 12 mijë euro, pasi sipas tyre, gjithçka ishte rregulluar në universitet dhe diploma e kërkuar do t’u jepej në dorë menjëherë pas dorëzimit të parave.                                              e.d