zirina llambro

Suplementi bashkangjitur diplomës do të jetë në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Udhëzimi që ka mbërritur dy ditë më parë në universitete, përmban mënyrën si do të plotësohet ky dokument i rëndësishëm. Veç kësaj, ajo që bie ndesh me deklaratën e ministrit Beja disa ditë më parë, janë ndryshimet në formatin e diplomës. Ndërsa ai pohoi hapur se nuk do të ketë të tilla, diploma e re sipas udhëzimit, merr një trajtë krejt tjetër nga ajo aktualja. Shtohet emërtimi i fakultetit përkatës që e lëshon, emërtimi i diplomës dhe data e mbrojtjes së tezës së saj. Pos këtyre elementëve të renditura qartë në udhëzim, hapet dhe një tjetër klauzole. ”Në përputhje me legjislacionin në fuqi, senatet akademike përcaktojnë edhe elemente te tjera të veçanta që ata i gjykojnë të arsyeshme si dhe formulimin grafik të diplomës”, thuhet në udhëzim. Pra ajo që i ngjante sipas studentëve një certifikate, tashmë mund të konvertohet në një diplomë të mirëfilltë të Arsimit të Lartë. Modelet e ndryshme të diplomave që do të miratohen nga senatet, përpara se të lëshohen duhet të regjistrohen me patjetër në Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë ndonëse ministria “nuk e uli hundën”, tregohet qartë që kërkesat e universiteteve dhe studentëve janë marrë thuajse të gjitha parasysh.
Suplementi
Udhëzimi i dytë i dërguar dy ditë më parë në universitete specifikon hartimin e suplementit të diplomës dhe formatin e tij. Suplementi do të jetë në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Kjo për të lehtësuar studentët në tregun e punës, e për njohjen e diplomave jashtë vendit. ”Diplomat e lëshuara në fund të programeve të studimit të ciklit të parë, të ciklit të dytë ose të integruar të ciklit të dytë si dhe programeve master shoqërohen me suplementin e diplomës”, saktëson udhëzimi. Sipas tij, në këtë dokument përshkruhet natyra, niveli, përmbajtja dhe rezultatet e studimit të përfunduar nga personi që pajiset me të. ”Përmbajtja dhe forma e suplementit të diplomës përcaktohet nga senati akademik sipas modelit kombëtar që i bashkëngjitet këtij udhëzimi”, nënvizon Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, suplementi i diplomës do të përmbajë 8 seksione. ”Suplementi i diplomës lëshohet falas për të gjithë të diplomuarit, sipas sistemit të Bolonjës. Për aq sa është e mundur, suplement diplomë mund t’u lëshohet me kërkesë të tyre edhe studentëve të diplomuar para Bolonjës. Kjo kundrejt një tarife që e përcakton institucioni”, thuhet në udhëzimin e MASH. Në të nënvizohet gjithashtu se të dhënat që do të përmbajë suplementi janë konfidenciale. Me këtë dokument diploma e  të gjithë studentëve që mbarojnë secilin prej cikleve të studimit me Bolonjën, merr një vlerë me reale në treg.


Suplementi do të përmbajë

1-    Informacion për mbajtësin e diplomës    (Gjeneralitetet dhe numrin e amzës)

2-    Informacion identifikues mbi studimin e kryer   (titulli akademik i studimit, fusha e studimit, emri i institucionit që e ka lëshuar diplomën, emri i institucionit që ka administruar studimin, gjuha e përdorur në provime)

3-    Informacion mbi nivelin e studimit
    (Niveli i studimit, cikli, kohëzgjatja zyrtare e programit të studimit, kushtet e pranimit në programin konkret të studimit)

4-    Informacion mbi përmbajtjen dhe rezultatet     (Forma e studimit, objektivat, detajet e programit, skema e vlerësimit, tema e diplomës dhe nota, mesatarja)

5-    Informacion mbi mundësitë që të jep kualifikimi     (Mundësia për studime të mëtejshme, mundësitë e punësimit)

6-    Informacione shtesë

7-    Certifikimi i suplementit

8-    Informacion mbi sistemin arsimor