Dirigjenti kosovar, i cili jeton në Gjermani, Kushtrim Gashi, pas një paraqitje në një koncert në qendër të qytetit me rreth 150 mijë banorë në pjesën jugore të Rhine-Main, u bë dirigjent në Orkestrën Simfonike të Darmstadtit, në vendin ku jeton, shkruan Koha.

Në këtë koncert ai dirigjoi dy vepra të tij, të cilat me suksesin e madh i siguruan vendin para orkestër gjermane.

"E kisha pritur prej kohës që unë jam në Gjermani", thotë ai për telefonatën që kishte të bënte me një mundësi dirigjimi të njërës prej orkestrave të qytetit.

"Në qoftë se paraqitja ime do t'i pëlqente kësaj orkestre, ata do të vendosnin që unë të vazhdoj tutje. Dhe kështu ndodhi", tregon Gashi. "Mora konfirmimin që kjo orkestër me dëshirë do vazhdojë bashkëpunimin me mua. Për mua ishte e papritur, por shumë e kërkuar dhe unë them pareshtur se çdo artist, çdo njeri që dëshiron diçka, duhet ta kërkojë pa u lodhur. Dikur vjen rezultati", shton Gashi, i cili në Gjermani shkoi për të vazhduar studimet postdiplomike pasi kreu shkollimin në drejtimet Kompozim dhe Dirigjim në Prishtinë e Shkup.

Përveç bashkëpunimeve me orkestrat e huaja, Gashi tregon se angazhimi i tij vazhdon edhe me orkestrën kamertale të Prishtinës, "Rexho Mulliqi", e cila është e themeluar në vitin 2010. Kjo orkestër do të mbajë koncerte në Gjermani e Turqi