03/04/2009  Disa muzikantë rusë thanë se hynë si rastësisht në këtë koncert, por me kalimin e kohës e kuptuan se, nëse nuk do të vinin, do të kishin humbur një eveniment të rëndësishëm e të veçantë, sepse patën rastin të njohin krijimtarinë e artistëve shqiptarë, që i njohin shumë pak, si dhe profesionalizmin e solistëve dhe orkestrës nën drejtimin e baketës së dirigjentit Oleg Arapi


Me ftesë të një shoqate kulturore ruse dirigjenti shqiptar Oleg Arapi, i shoqëruar nga orkestra e harqeve të Radiotelevizionit Shqiptar dhe artistë shqiptarë e rusë, javën e kaluar dha me sukses një koncert në Moskë. Koncerti, i sponsorizuar nga MTKRS-ja dhe “Taçi oil”, u interpretua në sallën e Katedrales angleze në Moskë, e cila ndodhet rreth 50 metra larg nga konservatori “Çajkovski”. Kjo sallë përdoret për regjistrimet e Radio Moskës dhe të shtëpisë diskografike më të njohur në Rusi, “Melodia.”


Ky bashkëpunim pati të veçantë ndërthurjen e interpretimit të tenorit të njohur shqiptar Kastriot Tusha me pianisten Edlira Braka, solistët e Balshoi Teatër, Anna Viktorova dhe Sergei Spiridonov dhe orkestrën e harqeve të Radiotelevizionit Shqiptar. “Ideja ime për këtë ndërthurje ishte krijimi i kontakteve midis talenteve të reja dhe atyre me eksperiencë, siç është pianistja e re Edlira Braka, me orkestrën me eksperiencë të harqeve të RTSH-së dhe artistët rusë të teatrit “Balshoi” si dhe me tenorin shqiptar Kastriot Tusha”, - thotë Arapi.


Të pranishëm në koncert ishin muzikantë profesionistë dhe artëdashës rusë, studentë shqiptarë që studiojnë në Rusi, përfaqësues të muzikës ruse si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Moskë.


Duartrokitjet e spektatorëve dhe intervistat që ata dhanë pas koncertit ishin në superlativa. Disa muzikantë rusë u shprehën se erdhën në koncert me kuriozitetin për të ndjekur një orkestër të panjohur, por ata dolën me përshtypjet nga më të mirat për sa i përket profesionalizmit të orkestrës së harqeve, zërit dhe interpretimit të tenorit shqiptar Tusha dhe pianistes së re Braka. Ata thanë se hynë si rastësisht në këtë koncert, por me kalimin e kohës e kuptuan se, nëse nuk do të vinin, do të kishin humbur një eveniment të rëndësishëm e të veçantë, sepse patën rastin të njohin krijimtarinë e artistëve shqiptarë, që i njohin shumë pak, si dhe profesionalizmin e solistëve dhe orkestrës nën drejtimin e baketës së dirigjentit Oleg Arapi.


Suksesi i koncertit ishte i padiskutueshëm. Fakti që dirigjenti Arapi i ofruan pjesëmarrje në një festival të orkestrave të harqeve vitin e ardhshëm flet vetë.


Midis të pranishmëve ishte edhe dirigjenti rus Leonid Nikolajev, i cili është aktualisht në Tiranë për dirigjimin e orkestrën së harqeve të RTSH-së në një koncert më 3 prill në Akademinë e Arteve.


Pas koncertit në Moskë ai përgëzoi interpretuesit, solistët dhe orkestrën shqiptare. “U befasova me cilësinë e tingëllimit të këtij formacioni orkestral si kur shoqëroi solistët, ashtu dhe kur interpretoi repertorin instrumental”, - tha Nikolajev.


Edhe solistët e teatrit “Balshoi”, ndonëse patën vetëm një provë para koncertit me orkestrën shqiptare, u shprehën me konsideratë të lartë për orkestrën shqiptare dhe u treguan të gatshëm për një bashkëpunim në të ardhmen.