Kryeministri, Sali Berisha, doli dje para gazetarëve për të kumtuar disa nga pikat e axhendës së tij disaditore në Paris, ku përfshihej një Samit, një projekt i ri i presidentit Sarkozy për vendet mesdhetare, si dhe festimet e 14 Qershorit. Për gati gjysmë ore shefi i qeverisë rreshtoi gjithë protokollin që kishte konsumuar në Paris në të gjitha llojet e takimeve, deri te takimet private. Këto takime ishin njoftuar ndërkohë direkt nga Parisi nga media zyrtare me një hapësirë kohore jashtë çdo limiti. Disa ditë më parë, mos gaboj ditën e diel, kam ndjekur lajmet e televizionit publik shtetëror dhe kishte plot 25 minuta kronika nga takimet e kryeministrit, Sali Berisha, në Paris, aq sa m’u duk se dhe parashikimin e motit do ta bënte po kryeministri. Madje, për herë të parë pashë që TVSH kishte shmangur dhe hapësirën e bollshme që i lë shpesh po ashtu takimeve pa rëndësi të kryetares së Kuvendit. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto mbingarkime të opinionit me protokollin e drekave dhe darkave të Parisit, dje kryeministri u shfaq vetë para gazetarëve për t’i përsëritur ato, a thua se përbënin ngjarje historike. Nga gjithë ato takime të pafundme i vetmi lajm që u prodhua është që Berisha iu kërkoi vendeve evropiane, që hezitojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, t’i heqin paragjykimet dhe ta njohin shtetin më të ri. Ky është vërtet një lloj lajmi që meriton të hapë një edicion lajmesh në çdo media private apo zyrtare në Shqipëri dhe më pas të futen dy fjali, ku e ka thënë dhe pse ka qenë në Paris kryeministri. Por, të dalë kryeministri para medieve për të mos thënë asgjë, përveç faktit që ka takuar të gjithë dhe s’ka lënë asnjë pa takuar, as presidentin e Sirisë, ky është një konsumim pa asnjë arsye. Të sillesh me opinionin publik në mënyrë aq të pamëshirshme, sa ta bombardosh atë me impresione vizitash pa ndonjë lajm për Shqipërinë, është e tepërt. Është e tepërt dhe për faktin se dita kur e bëri këtë ishte e ngarkuar emocionalisht, pasi ambasadori amerikan në Tiranë kishte hedhur dyshime serioze për implikimin e qeverisë së tij në një skandal që po trondit dhe SHBA. Nëse zoti Berisha vendosi të mos fshihej ditën e djeshme, ai duhet të dilte të prodhonte një lajm më të fortë se lajmi i ambasadorit. Mund të na kishte çuditur me ndonjë tullumbace për ndryshime në qeveri, me ndonjë deklaratë-dëshmi për mënyrën se si u përpoq ta mbyllte me Mediun investigimin e trafikut të armëve, mund të kishte bërë ndonjë kokë turku nga administrata për zjarret që po shkrumbojnë vendin sidomos në Jug të Shqipërisë etj. Pra, kishte plot mënyra të na tërhiqte vëmendjen përveç ripërsëritjes së protokollit dhe menyve të drekës dhe darkave që kishte ngrënë në Paris dhe njerëzve që kishte takuar.


Kryeministri Berisha nuk është një politikan i mefshtë. Ai di të prodhojë lajme, dhe kur ato janë vështirë të prodhohen. Ai di po ashtu të shfrytëzojë qoftë dhe një kafe në Paris për ta tërhequr vëmendjen në Tiranë. Është hera e parë që e shikoj kaq keq, me kaq shumë dreka, darka, mëngjese dhe kafe pa prodhuar asgjë. Kjo më bën të dyshoj se ai ka shumë pak argumente për t’u ballafaquar me problemet reale dhe ka filluar i bën qejfin vetes dhe jeton në një botë tjetër, që s’ka lidhje me Shqipërinë që ka para sysh. Ai ka filluar jeton me delirin e nismave rajonale dhe evropiane, të cilat e përfshijnë atë për arsye gjeografike dhe jo politike. Në të vërtetë, ai duhet të dilte dje doemos para gazetarëve, por për të shpjeguar atë që prisnin shqiptarët. Të shpjegosh aq gjatë dhe për disa ditë rresht, përse ishe në Paris, ç’iu the dhe çfarë të thanë, pa prodhuar asnjë lajm dhe ngjarje për vendin tënd, është një mënyrë origjinale për ta shumëzuar me zero dhe atë pak vlerë që mund të kishte vizita e tij në Paris.


Berisha ka pasur vizita që kanë prodhuar lajm dhe duke shkuar të pijë kafe gjëkundi, madje dhe duke folur në telefon me ndonjë lider evropian. Për tri ditë në Paris, ai nuk prodhoi ndonjë lajm dhe dje nuk kishte se ç’të thoshte. Për këtë shkak gjithë epërsia e vizitës bazohej te fakti se nuk kishte ngrënë një drekë në Paris, por disa dreka, nuk kishte takuar një president, por disa presidentë, nuk kishte takuar një kryeministër, por disa kryeministra dhe nuk kishte për të thënë ndonjë ngjarje, pasi kishte shumë ngjarje, por që s’kishin lidhje me ne. Dhe në këto raste njeriu ka pak respekt për veten dhe nuk e torturon atë në mes të ditës, për të treguar menynë e restoranteve të Parisit.