Mihallaq Qilleri


mihallaq qilleri

Zhvillimet e vrullshme të korrik-gushtit, pas zgjedhjeve të këtij viti i kanë bërë njerëzit të harrojnë paroditë e përditshme të fushatës elektorale. Të gjithë mbajmë mend kur nuk kishte ditë që ish-kryeminsitri Berisha të mos inaguronte një rrugë. Dhe gjatesitë e rrugëve nuk besoj se ishin të njejta. Pra, ato të kishin nisur së hapuri, përshembull, së paku me 1 janar 2013 e të përfundonin njera pas tjetrës të gjitha në ditët e qershorit. Nuk besoj gjithashtu se gjerësia e tyre, reilevi ku kalonin, formacionet gjeologjike që përshkonin ishin të njejta. Sepse vetëm në këtë mënyrë ato mund të inaguroheshin të gjitha afërsisht në të njejtën kohë..

Pyetja është e thjeshtë..Këto dy muaj të pas 23 qershorit, nuk ka përfunduar asnjë rrugë? Nuk ka nisur asnjë e re? Nuk ka pasur tendera këto muaj? Po tenderat e më parshëm nuk vijojnë?

Ngjan sikur Shqipëria ka pushuar së punuari pas 23 qershorit. Sikur vendi nuk po merr frymë. Nuk prodhon asgjë. Vetëm domate e ndonje fik gushti. Dhe qytetarët blejnë qofte e domate nëpër plazhe.. Qeveria në ikje nuk na thotë asgjë për punët. Mos vallë gërshëret e inagurimeve janë thyer, apo hedhur gjëkundi ? Qeverisë së re të Edi Ramës nuk i lejohet të zhvilloj tendera deri në konstituimin e saj. Edhe ndonje mbledhje në Vlorë quhet antikushtetuese. Qeveria e vjeter mblidhet vetëm sa për të folur Berisha. Të gjithë pushojnë në Shqipëri? Të gjithë janë në plazhe? Nuk hidhet asnjë lopatë dhe gjëkundi, nuk gatuhet asnjë metërkub beton? Ku i marrin rrogat qindra punëtorë të punëve botore, – siç quheshin ata të rrugëve në kohën e Zogut?

Një miku im që kishte vendosur të pushonte në Pogradec, më tregonte për pisllëkun prej pluhuri dhe gropat e rrugës Lin- Pogradec, e lënë në mëshirë të fatit nga kryefinacieri Bode.

Por interesante është të dihet se ku gjëndet tribuna, ose foltorja që Sali Berisha e merrte me vete kur inaguronte copa rrugësh të pambaruara? Sepse pa foltore nuk mund të inagurohej asgjë. As pa dekorin NE JEMI NDRYSHIMI. PËRPARA! Në çdepo të errët është hedhur ky dekor? Nuk mund tu fliste njerëzve ky udhëheqës i partisë dhe i shtetit, xhanëm,  duke qëndruar në këmbë dhjetë minuta në mes të rrugës? Pastaj dëgjuesit e tij tundnin vetëm flamuj të PD, e ndonjë amerikan.. Pse vetëm me paratë e PD ishin ndërtuar ato rrugë? Nuk kishin paguar taksa socialistet, ballistet, komunistet, çamët, minoritarët, arixhinjtë a ekologjistët?

Po ishte qeveria e PD, do të thotë dikush..Po, por populli quhet popull shqiptar..

Problemi është te rrugët..Problemi është se asnjë centimetër rrugë nuk po inagurohet. Asnjë hidrocentral..Asnjë shkollë, ndonëse jemi në praj të vitit të ri shkollor.

Mos vallë u shembën edhe rrugët e nisura, siç u shemb qeveria e PD?