Kandidatja e koalicionit AKR- LDD për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila kërkon që Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) të jetë më i shpejtë në shqyrtimin e ankesave. Kusari- Lila ka dërguar një numër të madh ankesash te ky institucion rreth procesit të votimeve dhe numërimit të votave në komunën e Gjakovës ku ajo kandidoi kundër Pal Lekajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.



Ky i fundit, në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë i votuar me 52 për qind të votave. Anëtari i KZAP, Osman Tmava ka thënë mbrëmë se ky komision shpreson që deri të hënën ta rrumbullakësojë punën e vet në shqyrtimin e të gjitha ankesave.



Ai thotë se gjatë ditës së shtunë, paneli I KZAP ka vendosur për rinumërim të votave të 7 vendvotimeve. Por ai nuk ka qenë i sigurt për cilat vendvotime bëhet fjalë. Nuk jam i sigurt, por e di që janë disa vendvotime në Gjakovë e disa në Malishevë. Disa lëndë tjera kanë mbetur të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme, ka thënë Tmava.



Deri të shtunën, në faqen zyrtare të internetit të KZAP kanë qenë të publikuara 76 vendime, shumica dërmuese e të cilave kanë të bëjnë me ankesat të cilat partitë i kanë bërë në periudhën parazgjedhore, kryesisht me mbulime të posterave reklamues nga partitë tjera. Me Gjakovën kanë të bëjnë vetëm katër vendime ndaj ankesave të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), të cilat në fakt janë refuzuar nga KZAP.



Nga ana tjetër, Mimoza Kusari- Lila ka besuar që KZAP do të jetë më i shpejtë. Kemi pritur se do të ketë një azhuritet më të madh nga ana e KZAP, ka thënë ajo për Express. Kusari- Lila thotë se shpreson që vendimet e drejta të KZAP, do ta dërgojnë në balotazh kundër Lekajt. Me anulimin e disa qendrave të votimit ku ka pasur shkelje të mëdha, rezultati automatikisht do të ndryshojë dhe ekziston mundësia që të hyjmë në balotazh, thotë kandidatja e koalicionit AKR-LDD për kryetare të Gjakovës.