ANGLI- Arsenali u ka dhënë fund shpresave për titullin kampion, pas disfatës 2-1 në fushën e Boltonit. “Topçinjtë” kanë treguar edhe këtë herë se nuk dinë të bëjnë hapin e madh në momentet kyçe. Me humbjen e sotme, Arsenali mbeti 9 pikë larg Mançester Junajtid dhe 3 nga Çelsi i Ançelotit, që mban vendin e dytë. Ndeshja e ka qenë e tejmbushur me emocione. Boltoni ka kaluar në avantazh në minutën e 38-të me anë të Starrixh, ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë, vendasit patën mundësinë për të dyfishuar me anë të një penalltie. Megjithatë, Davies është hipnotizuar nga Shezni, që ka grushtuar goditjen e tij. Pa kaluar mirë një minutë, Robin Van Persi ka rikthyer ekuilibrin e ndeshjes, duke barazuar 1-1. Më pas, “Topçinjtë” kanë humbur një seri rastesh për të kaluar në avantazh, ndërsa në minutën e fundit, ka ardhur edhe surpriza e madhe. Kohen ka gjetur golin e dytë për Boltonin, duke fundosur Arsenalin. “Topçinjtë” do të presin pas një jave Mançester Junajtid, por edhe një fitore mund të mos mjaftojë për ta.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)