Ervin KOÇI



Administrata doganore ka arritur që të rikuperojë deficitin e krijuar në muajt e parë të vitit, por kjo nuk i ka kënaqur aspak krerët e Ministrisë së Financave. Ata nuk i kanë kursyer rezervat që kanë për performancën jo të mirë të Doganave, të cilat bashkë dhe me Tatimet konsiderohet si dy shtylla të gjenerimit të të ardhurave për buxhetin e shtetit. Numri dy të MF-së, zëvendësministri Alfred Rushaj i pranishëm dje në analizën 6-mujore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pavarësisht shifrave pozitive të raportuara, nuk i ka kursyer kritikat. Sipas tij, sektori i doganave duket se është prekur nga evazioni dhe kontrabanda. Rrushaj kërkoi nga Administrata doganore që të intensifikohet lufta ndaj kontrabandës dhe ajo të shkojë në nivelin zero. “Edhe pse raportohet një rritje e zhdoganimeve të mallrave, kryesisht atyre me akcizë, sërish vlera e kontrabandës mbetet e konsiderueshme. Ky fakt është lehtësisht i evidentuar tek cigaret”,- ka deklaruar numri dy i Financave, Alfred Rushaj. Duke u kërkuar punonjësve të DPD-së që të mos i masin rezultat vetëm me shifra financiare, Rushaj tha më tej se, “performanca e administratës doganore tashmë siç e dini nuk varet vetëm nga realizimi i targeteve financiare të saj. Shqipëria është futur në rrugën e integrimit europian dhe për këtë arsye, integrimi i administratës doganore, i sistemeve të saj në atë të BE-së është një domosdoshmëri dhe një sfidë të cilën administrata tashmë e ka përpara në punën e saj". Zëvendësministri Rushaj kërkoi gjithashtu, vëmendje më të madhe të doganierëve për të përmirësuar shërbimin. Sipas tij, doganierët duhet të mbështesin konkurrencën e ndershme me procedura të shpejta për të gjithë subjektet.



Konkluzionet

Pas shqetësimit të ngritur nga Shërbimi Informativ Shtetëror, se kontrabanda kërcënon ekonominë shqiptare edhe numri dy i Financave Alfred Rushaj, i kërkoi dje Administratës doganore të rrisin luftën ndaj këtij fenomeni. Këto kritika kanë ardhur menjëherë pas raportimit “optimist” të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Flamur Gjymishka, i cili deklaroi se DPD-ja kishte mbuluar deficitin e muajve të parë të vitit me të ardhurat e mira. “Objektivi i qeverisë ka qenë 55 miliard e 138 milionë dhe të realizuara nga administrata doganore ishin 55 miliardë e 194 milionë. Në përqindje, 100 për qind me një diferencë të vogël pozitive",- deklaroi dje kreu i DPD-së, Gjymishka. Ai ka vijuar më tej duke thënë se, “ deficiti në muajt janar-shkurt prej 1.7 miliardë lekësh, u mbulua duke realizuar planin në masën 100 për qind, ose rreth 15.8 për qind më shumë se një vit më parë”. Sipas Gjymishkës, një rritje me rreth 77.7 për qind kanë pësuar edhe eksportet. Në vlerë eksportet shqiptare kanë arritur që të kenë një rritje me 24.3 miliard lekë më shumë të krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por pavarësisht realizmit të planit, kjo situatë nuk ka ndikuar në të ardhurat e buxhetit të shtetit, i cili u shkurtua me afro 10 për qind për shkak se nuk u mblodhën taksat në nivelin e parashikuar.



Të dhënat

Administrata Doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit në 6 muajt e parë të vitit 55.19 miliardë lekë, nga 47.67 miliardë lekë të arkëtuar në të njëjtën periudhë të vitit 2009, me një rritje absolute prej 7.5 miliardë lekë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në 6 muajt e parë të vitit është bërë e mundur realizimi 100 % i ardhurave të planifikuara.

Sipas statistikave zyrtare të DPD-së, volumi i eksporteve shqiptare në sasi në periudhën janar-qershor, arriti 1 milionë 71 mijë tonë mallra, nga 603 mijë ton të regjistruar me të njëjtën periudhë të vitit 2009 dhe me një rritje prej 468.5 mijë ton. Ndërsa si vlerë, eksportet shqiptare llogariten 39.6 miliardë lekë, kur në të njëjtën periudhë të vitit 2009, u llogaritën 15.3 miliardë lekë eksporte. Gjatë 6-mujorit të parë të 2010-ës, volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv shprehur në sasi është 119.9 mijë ton, nga 54 mijë ton të regjistruar në të njëjtën periudhë të 2009-ës, me një rritje prej 65.9 mijë ton, ose 122.1%. Si vlerë rieksportet nga përpunimi aktiv gjatë 6-mujorit 2010 arritën 42.2 miliardë lekë me një rritje prej 10 miliardë ose 30.9%, krahasuar me 6-mujorin e vitit 2009, ku u realizua një vlerë prej 32.2 miliardë lekë rieksporte. Në 6 muajt e parë të vitit, u zhdoganuan 1764 ton cigare nga 1732 ton të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të vitit 2009. Po kështu janë zhdoganuar 220 258 ton karburante nga 193 913 ton të zhdoganuara në 6 mujorin e parë të vitit 2009. Ndërsa janë zhdoganuar këtë 6 mujor 15.296 mijë litra birre nga 15.669 mijë litra të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të vitit 2009, me një rënie prej 373 mijë litra si efekt i shtimit të prodhimit vendas.







METE e Bashkia përplasen për Fushën e Aviacionit



Duke ju përgjigjur dje akuzave të ditëve të fundit të Partisë Socialiste në lidhje me privatizimin e Fushës së Aviacionit, Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se nuk ka asnjë proces privatizimi për këtë hapësirë të parashikuar për zonë të gjelbër. Gjatë një komunikimi për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i METE-s, Durim Kraja, sqaroi se pjesa tjetër e ish-Aerodromit që nuk përfshin Fushën e Aviacionit është nxjerrë për privatizim.

“Një repart i Aerodromit është në proces privatizimi por nuk ka lidhje me pjesën që i është dhënë Bashkisë për ta shndërruar në zonë të gjelbër”- theksoi Kraja. Ndërkohë ai u shpreh se, dokumentacioni i Ministrisë së Ekonomisë mbi Fushën e Aviacionit është lehtësisht i verifikueshëm dhe se nuk mund të bëhen keqinterpretime të tij. Po dje ka qenë i menjëhershëm reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila kundërshton privatizimin e ish-Fushës së Avialiconit, duke deklaruar se ky proces është kundër interesave të komunitetit të zonës.





Tuneli i Kalimashit, radha e makinave shkon mbi 3 km



Jemi mësuar të dëgjojmë për fluks e radhë makinash në doganat e Kapshticës, Kakavijës, edhe në portet kryesore të vendit, sidomos gjatë stinës së verës, por këtë herë e njëjta situatë ka ndodhur edhe në hyrje të tunelit të Kalimashit. Raportohet se një fluks tepër i madh mjetesh që duan të kalojë këtë tunel, për tu kthyer në Kosovë, janë bllokuar gjatë fundjavës për orë të tëra. Radha e mjeteve arriti ditën e diel deri në 3 km, çka e bën edhe më alarmante situatën. Situata paraqitet e rënduar prej disa minutash, ndërkohë që shkak për rëndimin e trafikut në këtë pikë kalimi, dyshohet të jetë bërë fluksi i madh i makinave që duan të kthehen brenda ditës në Kosovë, pasi kanë kaluar pushimet në plazhet shqiptare. Vetëm ditën e dielë, rreth 15 mijë makina kanë kaluar tunelin e Kalimashit.





OSSH: Nisin ndërprerjet e energjisë, remonte deri më 30 korrik



Duke filluar nga dita e hënë, një pjesë e lagjeve të kryeqytetit, por edhe disa qytete të tjera të vendit do të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka njoftuar dje se nisi remonti në nënstacionin “Dinamo”. Si pasojë, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike çdo ditë nga ora 09.00 deri në 15.00 në disa zona të Tiranës, si Bregu i Lumit, ish-Uzina Dinamo, rrugët Jordan Misja, Siri Kodra, Josif Pashko, Babrru dhe Paskuqan. OSSH-ja njofton për kryerje remontesh edhe në rrethe. Ndërprerje të energjisë gjatë paradites së djeshme pati që prej orës 09.00 deri më 15.00 edhe në zonën e Fushë-Arrëzit, Pukës, Laçit, Memaliajt, Fierit, Përrenjasit, Librazhdit, Skraparit, Poliçanit dhe Vertopit. Sipas njoftimit të OSSH-së, remontet parashikohet të zgjasin deri më 30 korrik.









27 Korrik 2010