17/01/2012 Nuk duhet të ketë një qasje ekstreme në fushën politike. Kjo pasi gjithçka është çështje e diametrit. Izotopi nga njëra anë, përfaqëson drejtësinë, kurse sfera përfaqëson politikën. Mbi politikën është folur shumë, aq shumë sa ne krenohemi me filozofitë greke të këtij sistemi, por dhe mbi historinë e shkruar nëpër dikasteret e luftës. Shkenca politike është e lidhur me rregullat, pasi do ta kishim të lehtë të bënim dallimin social në “popull të majtë” dhe “popull të djathtë”. Populli përbën kështu gjenezën historike të politikës, materialin mbi të cilin bazohet doktrina e mbrojtjes dhe pas së cilës del politika moderne. Mund të thuhet se shoqëria përfaqëson rrafshin e ndërmjetëm midis kishës ose xhamisë dhe politikës. Ky përkufizim vjen nga nevoja e administrimit, ndërsa civilizimi është gjithashtu çështje e njohjes, d.m.th. sadopak e politikës. Politika ka në thelb të saj shoqërinë dhe kapitalin. Mbi këtë prirje janë paraparë si të drejtpërdrejta liritë popullore, ose ndryshe e majta sociale, dhe shpërndarja e kapitalit, ose ndryshe e djathta. Parti si kristiandemokratët janë elemente shpirtërore të popullit, që bazohen në vlerat pozitive dhe liturgjinë politike. Ndërsa komunistët, demokratët apo filozofët janë përkatësi elektorale. Nga pikëpamja e marrëdhënieve sociale zgjedhjet janë sovrane dhe institute të tilla duket se janë universale në rangun e qytetërimit. Sistemi, siç thamë, është i lidhur me diametrin, ku secila pjesë e rrethit përbën një dukuri metafizike, për rrjedhojë edhe pozicionesh midis së majtës dhe së djathtës. Këtu bie poshtë iluzioni mbi prirje të majta apo të djathta mbi bazë interesi, por thjesht mbi nevoja popullore. Kriteri popullor është elementi kushtetues që dallon ndarjen e politikës në bipartizane, është vetë psikologjia e rastit elektoral. Kjo dukuri lidhet me sferën politike, e cila mund të sundohet sipas këndvështrimit. Kardozo shprehet se “pikëpamja është funksion i këndvështrimit”. Kjo, në të vërtetë, duket një rekuizitë gjyqësore, por gjithmonë e vlefshme për përcaktimin e pozicionit politik. Kush do të bënte një dallim midis pensioneve si interes i majtë elektoral, me pronësinë si interes i djathtë elektoral? Përveç llogarive korente asnjë mësim tjetër nuk marrim nga politika në këtë mënyrë, prandaj përveç spektrit fizik nuk besohet që të zbulojmë një sistem më të mirë sesa zgjedhjet në politikë. Po çfarë e bën një militant të majtë ose të djathtë, atëherë? Përgjigjen efektive e japin zgjedhjet dhe mbajtja e tyre, pasi nuk do të kishim një përgjigje teorike mbi këtë. Kur vjen puna për të luftuar, pak rendësi merr ideali; kur vjen puna për t’u quajtur “të indoktrinuar” në politikë, pak rendësi merr ideologjia në këtë rast. Ato që votohen janë siguria në fitore në aspektin luftarak dhe fitorja e zgjedhjeve në sistemin politik. Kush do të besonte që kategoria politike është një e mirë absolute?! Bërja e synetit apo teoritë mbi kontratën sociale janë gjithashtu një gërshetim i mënyrave kishtare të të bërit politikë. Prandaj besimi bëhet një çështje komplekse, por i nevojshëm për të determinuar si socialistët, monarkistët, po ashtu dhe demokratët apo ushtrinë. Nuk ka një arritje më të madhe sesa shndërrimi i monarkisë në popullore, çka do të thotë se nuk ka gjithashtu një ngjarje për t’u shënuar në këtë prizëm mesjetar. Dikur Zoti besohej të ishte mbreti, ndërsa më pas populli. Kjo është dhe liturgjia që diskutohet rëndom në parlamente monarkike ose politike. Po të jemi të kujdesshëm, përdora termin “parlament politik” për të treguar se këtu bëhet ndryshimi sovran dhe i vetëm i lëndës politike. Ndarja e shoqërisë në parti politike është çështje metode dhe nuk përbën një kriter të hapur të drejtësisë, pra se kush ka të drejtë. Unë, për vete, i përkas atij komuniteti politik që e ndan shoqërinë në dy klasa kryesore: socialistë dhe demokratë. Këto shëmbëlltyra filozofike i përkasin shkollës sofiste greke, por bartin në vetvete tërësinë strukturore të popullit, civilizimin e tij. Sintezat filozofike nuk janë një e tërë, por u përkasin partive të ndryshme, si vetë rrymat sofiste dhe të vetmet, ku mund të bëhet politikë. Prandaj veç sofizmit politika mbetet një kërkesë e shoqërisë, letërsisë apo kulturës. Ne harrojmë se si shkelen para syve tanë të drejtat kushtetuese, dhe kjo lind nevojën e përmirësimit të kontratave sociale. Këtu lindin filozofi politike, por që bazohen te rregullat, dhe këtu filmi mbaron. Janë rregullat që bëjnë politikën dhe për të cilat votohet. Definitivisht duhet të jemi demokratë dhe rrjedhimisht njerëz të lirë. Kjo pasi çdo gjë është morale.
A. Kriminalistikë
Në rast se një person qëllon një tjetër, pyetja bazë që ngrihet në të tilla raste është: kemi të bëjmë me vrasje apo me plagosje?! Shumëkush do të besonte se, kur trupi ka vdekur, kjo është një vrasje. Deri këtu nuk ka dyshime. Po kur trupi nuk vdes, cili është versioni penal? Vlerësimet dinamike lidhen kësisoj me ngjarjen, më pas me fajin dhe definitivisht me sistemin (drejtësinë dhe dënimin). Në analizën e rastit, merret parasysh ngjarja kriminale, nga e cila ne nxjerrim shkallën e dëmtimit fillimisht e më pas futemi në kulturën civile të drejtësisë mbi fajin. Pra, mbahet parasysh dukuria objektive e ngjarjes, d.m.th, pasoja, dhe më pas shkaktari. Nëse dikush është i plagosur nga armë zjarri, ne nuk duhet t’i besojmë qëllimit kriminal, por atij balistik. Më qartë shikohet se është i plagosuri objekti i dëmtuar nga ku nxjerrim veçoritë antropologjike të vrasësit. Nëse ka qëllim kriminal ose jo, kjo çështje lidhet me fajësinë, kurse kriminalistika përcakton qartë mundësinë e pamjes dhe arritjen e rastit. Nëse nuk ka pamje, nëse nuk ka pozicion dhe nëse nuk ka pasojë vdekjen, përcaktimi i qëllimit kriminal do të ishte i pavlefshëm në versionin hetimor. Ne nuk duhet të besojmë kështu te karakteri intelektual i vrasësit, por te mundësitë dhe mjetet teknike me të cilat qytetari ynë mund të kërcënojë rendin publik. Këto janë armët e zjarrit. Si element i njohur ushtarak, armët e zjarrit na japim një shpjegim të qartë mbi kërcënimin e jetës, dhe kjo përbën një llogore sociale, gjithashtu. Humbja e vetive ushqyese të njeriut në sistemin respirator lidhet me traumat që shkaktohen në rrugë teknike, duke i lënë më pak punë drejtësisë me gjetjen e fajit. Në gjuhën politike faji është një kriter ligjor, pasojat e të cilit nuk janë asgjë më shumë sesa shumëzimi i lirive dhe të drejtave në komunitet. Mua më intereson shpjegimi strukturor i aktit kriminal, sidomos vrasjes, sesa habia e kriminelit kur shprehet se “faji është jetim”. Çdo metodë ka kulturën e vet të veprimit, që bazohet në veprimin e përgjegjshëm (kriteri civil) dhe në aktin pozicional (kriteri ushtarak). Mbi kriterin civil të fajit do të mjaftohesha me buletinet historike të Gjykatës së Lartë dhe praktikat unifikuese të rastit, ndërsa me kriterin ushtarak do të ndalesha sadopak. Në luftimin trup me trup elementët mund të godasin njëri-tjetrin dhe kështu formohet pozicioni. Është ky pozicion që na tregon se cila ka qenë shkalla e implikimit fizik të qytetarit në vrasje apo veprime të tjera të këtij niveli të rrezikut penal. Të vetmet që na japin teorinë penale të fajit janë mundësitë ushtarake. Janë pikërisht këto elemente ushtarakë të kundërveprimit që bëjnë dallimin special midis dashjes në vrasje dhe pakujdesisë në veprim. Dashja është e lidhur me dëshirën kriminale, ndërsa dëshira lidhet me shikimin direkt ose indirekt të fajit (mens rea). Është dukuria teknike që dallon fajin në pakujdesi, pasi i jep subjektit përgjegjësi në heshtje, d.m.th. nga mosveprimet. Me këtë pakujdesi teknike bazohet pozicioni i detyruar fizik i trupit të njeriut dhe ndërgjegjja e tij civile për të eliminuar pasojën (shpirti politik). Pra, janë pasojat që provojnë shkaqet dhe jo anasjelltas. Gjithashtu në Kodin Penal shtrohet e nevojshme të bëhen ndryshime didaktike lidhur me gjendjen shpirtërore të vrasësit, xhelozinë e tij në aksion apo paramendimin e aktit. P.sh., nuk mund të ketë vrasje për gjakmarrje, pasi përcaktimi “gjakmarrje” nuk lidhet me fajin, por me reaksionin mjeko-ligjor. Do të ishte e udhës të zëvendësohej përkufizimi “gjakmarrje” me “hakmarrje”, se hakmarrja nuk është vetia më e specializuar penale, pasi lidhet me vetë nevojën e njeriut. Shumë është shkruar për hakmarrjen, madje nën gjuhë letrare dhe shoqërore. Xhelozia gjithashtu, ashtu sikurse gjakmarrja, mund të merret si një motiv krahasues sesa një si një gjendje e përgjegjshme mendore. P.sh, burri vret gruan jo nisur nga xhelozia, por sepse ka humbur kontrollin e arsyeshëm fizik dhe politik. Të mos harrojmë se pasoja është vdekja e personit, pavarësisht nga interesi publik i saj. Veçori fizike si xhelozia unë mund të gjej boll, ashtu sikundër mund të them se vrasja u bë nga kënaqësia, botëkuptimi i ulët i viktimës apo interesi, çka do të thotë se mund të jesh xheloz, por jo të arrihet deri në vrasje. Të gjitha këto janë rrethana të vendit të ngjarjes dhe rrethanat nuk janë poetike, por lidhen me materializmin dialektik të Marksit, gjithashtu. Ndërsa mbi paramendimin në vrasje mund të mbajmë parasysh gradën amerikane të drejtësie mbi nivelin e shkakut. Ata thonë se kemi vrasje të gradës së parë dhe vrasje të gradës së dytë, nisur nga pozicioni balistik dhe ushtarak i rastit. Ata nuk shprehen për vrasje me paramendim, por implikojnë jo thjesht mundësinë fizike të vrasjes, por sidomos dëshirën politike për ta bërë një gjë të tillë. Kemi qitje me puqitje, por edhe qitje me largësi. Të dyja opsionet mund të na japin një pasojë të vetme kriminale, e cila përjashton paramendimin si elementin bazë të krimit. Pas vrasjes fillon shfaqja dhe prokura ushtarake italiane këtë e quan “motivin dramatik”. Nëse motivi dramatik lidhet me paramendimin apo me përgatitjen e kushteve për vrasje, këtë gjë nuk e pranon Kodi i Procedurës Penale, ku profesionalizmi në vrasje nuk mbahet parasysh në përcaktimin e fajit. Prandaj ka një dallim fizik midis ngjarjes dhe fajit, që përfaqëson pacientin tonë social. Çdo gjë më pas i takon procedurës dispozitive dhe afateve.