Trajneri Roberto Donadoni është njeriu më i lumtur në shtëpinë e Italisë. Pas ankthit të madh dhe dorëheqjes së mundshme, tekniku ndihet optimist. “Kjo Itali mund të mposhtë këdo. Kemi bërë gabime, por edhe në ndeshjen kundër Holandës pashë gjëra pozitive. Lojtarët shohin te mua jo vetëm trajnerin, por diçka më shumë”. Tekniku italian flet edhe sfidën me Spanjën: “Është një skuadër e vështirë. Të komplikon gjithmonë jetën. E provuam në miqësoren e fundit”. Italia humbi 1-0 dhe golin për spanjollët e shënoi David Vija, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i Euro 2008.
Aragones: “Nuk i doja axurrët”
Trajneri i Spanjës, Luis Aragones, pohoi se Italia nuk ishte ekipi që ai do të dëshironte të përballej në çerekfinale.
Fitorja 2-0 e formacionit të Roberto Donadonit ndaj Francës e ka trembur jo pak teknikun iberik. Forma e kampionëve të botës ishte më e mira e tyre në tre ndeshjet e para. “Italia është ekipi që unë nuk do ta dëshiroja të përballesha në çerekfinale. Ajo është kampione e botës dhe një ekip shumë i vështirë për t’u përballuar. Lojtarët janë kompetent dhe atë dinë të luajnë në periudha të mira dhe të vështira”.
Van Basten: “Donadoni, miku im”
Trajneri i Holandës, Marko van Basten, pohoi se ai ishte i “lumtur” të shihte Italinë në çerekfinalet e Euro 2008, edhe pse ekipi i tij mund të përballet sërish me kampionët e botës në gjysmëfinale. Një humbje e Holandës me Rumaninë do ta nxirrte jashtë loje Italinë, por “portokallinjtë” fituan 2-0, ashtu si Italia me Francën (2-0). Van Basteni foli edhe për teknikun e Italisë, Roberto Donadonin. “Unë e njoh shumë mirë atë, ai është një miku im”, - tha bosi holandez. “Në situata të tilla nuk është mirë të kemi kontakte me njëri-tjetrin. Por në fund të fundit, unë jam i lumtur që ai ia doli të shkojë me tej, i lumtur për të dhe për Italinë”.