Tragjedia e Gërdecit është ngjarja më e rëndë e ndodhur në dekadat e fundit në Shqipëri. Më 15 mars të vitit 2008, në fshatin Gërdec pranë Vorës, disa kilometra larg Tiranës, shpërtheu një fabrikë e demontimit të armëve, ku ushtronte aktivitetin e demontimit të municioneve shoqëria “Albademil”. Në pranga, fillimisht, si përgjegjës për shpërthimin dhe vrasje masive janë vënë tre persona, që kishin në posedim fabrikën. Të pandehur në paraburgim për ngjarjen e rëndë të Gërdecit janë administratori i “Albademil”-it, Mihal Delijorgji, drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, dhe përgjegjësi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli.


Gjykata e Tiranës caktoi 15 korrikun si datë për nisjen e procesit penal ndaj 28 të akuzuarve, si përgjegjës të tragjedisë në Gërdec. Trupi gjykues, i kryesuar nga Ridvan Hado, në këtë datë nisi shqyrtimin e dosjes voluminoze dhe njohu të pandehurit me akuzat e ngritura nga prokuroria. Dosja “Gërdeci” mbërriti në Gjykatën e Tiranës pas vendimit të 22 majit 2009, ku Gjykata e Lartë vendosi për ndarjen e saj dhe mbajti për gjykim vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të akuzuarit, mes tyre Mihal Delijorgji, administrator i “Albademil”, Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, si dhe disa ish-ushtarakë po gjykohen nga Gjykata e Tiranës. Në tragjedinë e Gërdecit, si pasojë e shpërthimit të një fabrike për çmontimin e municioneve, gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.








#