Pr/ligji gati për miratim nesër në seancë. PD: Nuk mund të shqyrtohet brenda ditës
Herion Mesi
Misioni i ekspertëve europianë të drejtësisë EURALIUS, që po asiston qeverinë në reformën në drejtësi mësohet se mbrëmjen e djeshme i ka nisur komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi ligjin e vetingut të ripunuar, pas ndryshimeve kushtetuese që u miratuan më 22 korrik.
Projektligji në fjalë mësohet se u është vënë në dispozicion deputetëve të maxhorancës dhe opozitës me qëllim miratimin në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet këtë të enjte.
Ky draft ka të bëjë me nisjen e punës së prokurorëve që do merren me procesin e vetingut. Por burime nga selia blu bëjnë me dije se drafti ka ardhur shumë vonë dhe po shqyrtohet për përgatitjen e vërejtjeve të ligjit. Mësohet se janë disa çështje të cilat Partia Demokratike do ti kundërshtojë gjatë diskutimit në komision, pasi në hartimin dhe prezantimin e draftit opozita nuk ka qenë e pranishme në mbledhjet e komisionit, për shkak të bojkotit të vendosur lidhur me draftin e amendimeve kushtetuese. Po ashtu, të njëjtat burime bëjnë me dije se është e pamundur që të shqyrtohet brenda ditës një projektligj i tillë.
Një natë më parë kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj u dërgoi një e-mail deputetëve, ku i njoftoi për një mbledhje të mundshme të komisionit, por pa caktuar një orar të saktë.
27 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)