TIRANE- Drejtoria e Aviacionit Civil do të kthehet në një autoritet, i cili do të funksionojë si një ent publik, me vetëfinancim, me buxhetin dhe politikën e vet të pagave. Ky institucion do të jetë në varësi të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Janë këto pikat kryesore të projektligjit për Autoritetin e Aviacionit Civil që është miratuar në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Ekspertët kanë shpjeguar se shndërrimi i Drejtorisë së Aviacionit Civil në një autoritet me më shumë kompetenca bëhet duke ndjekur praktikën e vendeve europiane, në përputhje me standartet ndërkombëtare. Ky autoritet do të jetë fleksibël nga ana ekonomike dhe pritet që t’i shërbejë në mënyrë më efikase ritmeve të zhvillimit të aviacionit.(NEWS24/BalkanWeb)