Dritan DajtiDritan Dajti ka kërkuar përjashtimin e trupës gjyqësore në procesin penal ku ai gjykohet për vrasjen e katër oficerëve të policisë, por kërkesa e tij është hedhur poshtë. Në seancën e zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, Dajti e konsideroi trupën gjyqësore të paaftë, të njëanshme dhe penguese për një proces të rregullt ligjor.


Ai e argumentoi kërkesën e tij me faktin se gjykata nuk po zhvillon seancat dhe nuk pranon të gjykohet pa një avokat mbrojtës. Por kërkesa e tij, e shqyrtuar nga një gjykatës tjetër, u hodh poshtë dhe ai do të vazhdojë të gjykohet nga e njëjta trupë gjyqësore.


Prej më shumë se një viti, të gjithë avokatët e caktuar nga gjykata për të mbrojtur interesat e tij, kanë refuzuar të paraqiten në gjyq. Në këto kushte, në seancën e kaluar, trupi gjykues vendosi që Dritan Dajti të gjykohet edhe pa avokat.


Gjyqi ndaj Dritan Dajtit ka startuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda prej datës 11 dhjetor 2009 dhe ka shënuar qindra seanca të dështuar për shkak të mungesës së avokatëve. Dajti ka deklaruar se nuk ka mundësi ekonomike të përballojë mbrojtjen ligjore, ndërkohë që avokatët e caktuar nga shteti nuk kanë pranuar të marrin përsipër mbrojtjen. Gjykata e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Dhoma e Avokatisë 49 procedime disiplinore në total, për avokatet ku për asnjërin prej tyre ende nuk ka një masë.


12 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)


 


Dritan Dajti: Trupi gjykues, i njëanshëm burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP
Abonohuni me Email