Në fakt, Dajti ka refuzuar të paraqitet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke mos firmosuar fletëthirrjen e gjykatës, madje ai as nuk ka pranuar të flasë. Anëtarët e trupit gjykues të kryesuar nga Nertona Kosova, kanë vendosur se fletëthirrja për të marrë pjesë në këtë proces ishte e ligjshme. Ndërkohë, avokati mbrojtës ka deklaruar se klienti i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore. Por një tjetër “problem” për seancën e sotme ishte edhe vetë avokati. Sipas gjyqtarëve, avokati mbrojtës Arben Qeleshi, i autorizuar me prokurorë nga bashkëshortja e Dajtit, mund të ta mbrojë këtë të fundit vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në sallën e gjyqit, ndodheshin vetëm ish-punonjësi i policisë, Mariglen Muça, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe Ergest Xhoxhi akuzuar për përkrahje të autorit te krimit. Dritan Dajti u prangos më 7 gusht të këtij viti në qytetin e Durrësit, pas 6 viteve arrati. Në 2003 Dritan Dajti, i cili po gjykohej për vrasjen e një biznesmeni, mundi të arratisej në mënyrë spektakolare nga ambientet e gjykatës së Tiranës. Më 7 gusht 2009, gjatë operacionit për arrestimin e tij, pranë pistës "Iliria" në Durrës Dajti ekzekutoi 4 policë, ndërsa vetë mbeti i plagosur.