leli

Historiku i ngritjes së Dritan Lelit, nga tregtar i pezulluar ilaçesh, deri tek oborri i Edi Ramës, me monopolin e disa ilaçeve të importit dhe me skemat e shëmtuara të tregtimit të silikonit

E gjithë Vlora është çuditur me përzgjedhjen e Dritan Lelit si kandidat i përzgjedhur i Partisë Socialiste për në krye të bashkisë. Por, përzgjedhja s'ka qenë një rrufe në qiell të kthjellët, as një dashuri e vonë e kreut të listës së deputetëve të qarkut, njëkohësisht kryeministër i vendit. Emri i Dritan Lelit lidhet me emrin e një biznesi të madh të tijin dhe të kryeministrit të vendit, dhe kandidimi është një vendim që është marrë para zgjedhjeve të 2013-s. Fjala është për Parkun Industrial të Vlorës, një projekt "on hole" prej 2012-s, për shkak të problematikave me koncesionet dhe së pari për shkak të procesit të legalizimeve, një faturë që pengon vetë zbatimin e projektit. Por kjo dilemë s'ekziston për një aradhe biznesmenësh e politikanësh, të cilët paraprakisht kanë akaparuar projektin nëpërmjet programit elektoral të Edi Ramës më 2013-n, dhe pas këtij stadi edhe kanë nisur zbatimin e zulmës.

Provë e qartë se si Dritan Leli po kandidon për bashkinë e Vlorës, si një stacion për t'u bërë peshkaqeni i qytetit bregdetar, njeriut që nëpërmjet bashkisë do rrjedhë miliona jo veç për vete e të vëllanë, por së pari për Edi Ramën, është fakti se konsorciumi që ka marrë përsipër zbatimin e projekteve të Parkut Industrial, është hiç më pak se konsorciumi që drejtohet nga vëlla Eduard Leli dhe që si përbërëse kryesore ka firmën e vëlla Dritan Lelit.

Që fati i Dr.Silikonit dhe i të vëllait varet nga projekti që lë pa shtëpi 140 familje vlonjate dhe privon nga biznesi dhjetëra konkurrentë vendas, flet edhe historiku i firmës së Dritan Lelit, historiku i një firme importimi ilaçesh, e cila që nga 2009-a s'kullandrisi asgjë deri më 2013-n, por pas këtij stadi mundi të fitojë monopolin e disa ilaçeve me ndihmën e nomenklaturës së Edi Ramës dhe Ilir Beqajt.

Kronika - Firma e importimit të ilaçeve të Dritan Lelit s'ka pasur ndonjë aktivitet të rëndësishëm qysh kur u themelua me 6 maj 2008, dhe deri në vitin 2013, thuajse gjithë kohës ka qenë me status pezull, pra pa ndonjë aktivitet, përveç shitjes formale të aksioneve të vëllait të tij Eduard Leli tek 100 përqindëshi i Dritanit, aty nga janari i 2013-s, kur duket se Eduardit po i buzëqeshte fati si biznesmen ndërtimi dhe po fuste duart tek projekti i rëndësishëm i Parkut Industrial të Vlorës. Dyshja e Lelëve ishte promotore që riaktivizimi i Parkut të ishte në projektin elektoral të Edi Ramës, pasi ai ishte bllokuar me një vendim KRT-je, nga qeveria e kryeministrit Berisha në vitin 2012, për shkak të faturës së lartë që kishte shpronësimi i banesave në atë zonë. Pas 2013-s, që të dy Lelët e zbuluar varësinë e tyre me Parkun Industrial dhe në vitin 2014, ALUIZNI-i i Ramës e rinisi procesin e legalizimeve në zonë, por duke përjashtuar 140 familjet që kanë ndërtuar aty ku parashikohet njolla e re e ndërtimeve nga konsorciumi i firmave "Tirana.sh.p.k", një bashkim firmash, ku spikat firma ndërtuese e Eduardit si dhe firma Rx:Pharma e vetë Dritan Lelit. Ndërtimi i Parkut Industrial mund të jetë një investim i rëndësishëm për Vlorën, por siç po zbulohet nga programi paraelektoral i Dritan Lelit, është thjesht një plan-biznesi familjar, që do kryhet me shpenzimet e qeverisë e të qytetarëve të Vlorës, duke nxjerrë në rrugë të madhe edhe 140 familjet e përjashtuara nga procesi i legalizimeve.

Dy Lelët janë të uritur për para, pasi në bilancin e vitit të shkuar financiar, firmës së Dritan Lelit iu desh të deklaronte si aktive të trupëzuara edhe një shumë prej 3 milionë lekësh karrige për zyra, edhe pse në ekstraktin e firmës në QKR, deklarohet se zyrat e firmës janë në banesën private të Dritan Lelit. Pra, Dr.Silikoni deklaron si bilanc aktivesh edhe 3 milionë lekë shpenzime për karriget e zyrës, por që në fakt i bie të jetë arredimi i shtëpisë së tij private.

Fitorja e Lelëve mund të jetë e rëndësishme për Partinë e Edi Ramës, pasi ndarja e plotë e llokmave të Parkut Industrial me klientelën edviniste nuk është krejt e sqaruar, por që tani kuptohet se është jetike për Lelët, pasi në rast të kundërt, ata do të kthehen aty ku e kanë vendin, me firmat me status pezull në QKR dhe me biznesin e shitjes së silikonit, që e kryejnë nga dhoma e tyre e gjumit.