Rreth 1500 pjesëtar të ish TMK-së, të cilët mbeten të pa angazhuar kur Trupa Mbrojtëse e Kosovës u transformua në Forcën e Sigurisë së Kosovës, po kërkojnë punë.


Përfaqësuesit e Grupi Iniciues të pjesëtarëve të ish-TMK-së, të mërkurën, mësynë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për të diskutuar rreth gjendjes dhe mundësisë së risistemimit të tyre, transmeton KlanKosova.


Safet Syla, drejtor i zyrës për çështjen e trashëgimisë së TMK-së, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë të ditur se ish-pjesëtarët e TMK-së, që nuk janë angazhuar në FSK, janë duke jetuar në kushte të rënda ekonomike, prandaj ka kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, që të bëjnë më shumë për këtë kategori.


Ish-pjesëtarët e TMK-së kanë edhe kërkesa të tjera që presin t’u plotësohen nga Qeveria e vendit: njohja politike e statusit të ish-ushtarakut dhe gradave ushtarake për të gjithë ish-pjesëtarët e TMK-së; risistemimi (punësimi) për të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së të mbetur pa punë; të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së, deri në punësimin e tyre të paguhen me një pagë sa paga aktuale e një pjesëtari aktiv të FSK-së; pensionimi i parakohshëm për të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së, si për pjesëtarët e FSK-së, janë disa nga kërkesat e ish-pjesëtarëve të TMK-së./Indeksonline/