Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli ka pranuar se duhet të rritet. Por, 21 vjeçari insiston se është ende i ri dhe ndien se është më i pjekur se në të kaluarën. Incidentet e përcjellin kudo që shkon, por atij nuk i pëlqen vëmendja e madhe mbi të dhe thotë se nga natyra është i qetë dhe i mbylltë. Ylli italian tregon se Roberto Mancini ishte arsyeja pse erdhi në City dhe ndihet i lumtur në Angli.

Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli ka pranuar se duhet të rritet. Ylli italian ka qenë i përfshirë në një numër të madh incidentesh në fushë dhe jashtë saj, pas transferimit në City në gusht 2010 nga Inter.

Derisa menaxheri Roberto Mancini e ka këshilluar të jetë më i matur dhe më i përgjegjshëm, Balotelli tha: “Nëse Mancini thotë diçka, ai ka të drejtë”. Sulmuesi shtoi: “Por, jam 21 vjeç, ende i ri. Mendoj se për dallim nga viti i kaluar, qysh tani jam më i pjekur në kokë”. Balotelli ishte gjobitur me pagën e një jave pasi shkeli rregullat para fitores 2-1 ndaj Boltonit në fundjavë.

Më herët, ai ishte sanksionuar nga City për hedhjen e një shigjete në drejtim të një futbollisti junior në mars 2011. Në një tjetër incident u nevojit intervenimi i zjarrfikësve në shtëpinë e tij në Cheshire në tetor, kur tualeti i tij ishte ndezur nga një fishekzjarr.

Reprezentuesi italian po ashtu ishte zëvendësuar në një miqësore para fillimit të sezonit, kur ishte munduar të realizonte me thembër, derisa ishte i vetëm para portierit kundërshtar. Balotelli edhe u rrah me bashkëlojtarin Micah Richards në stërvitje, ndërsa hyri në një shkollë në Manchester për të përdorur tualetin. Balotelli rrallëherë jep intervista, por pranoi të bisedojë me ish anëtarin e grupit Oasis, Noel Gallagher, tifoz i Cityt dhe adhurues i futbollistit.

Ai i tha Gallagherit se është i lumtur në Angli dhe se Mancini, me të cilin punoi edhe në Inter, ishte një prej arsyeve kryesore që iu bashkua Cityt në transferim me vlerë prej rreth 26 milionë eurosh. “Nëse Mancini nuk do të ishte këtu, kurrë nuk do të vija”, tha Balotelli, i lindur në Sicili nga një familje emigrantësh ganezë. “Por, tani që jam këtu ndihem mirë dhe jam i lumtur”, theksoi ai.

Balotelli, i cili filloi karrierën e tij te skuadra nga Serie C, Lumezzane, shtoi se është person “privat” dhe se nuk mund të kuptojë pse prania e tij shkakton aq bujë në mediet britanike. “Nuk më pëlqen kur njerëzit flasin për punën ose jetën time. Jam person i mbylltë, privat. Ndoshta dikush mendon se jam arrogant ose diçka i tillë, por nuk jam ashtu. Nuk më intereson, ata mund të thonë çfarë të duan. Unë endem në qytet si një njeri normal, shkoj në një lokal, por jo për të pirë”, përfundoi ai.

Balotelli është bërë njëri prej futbollistëve kryesorë të Cityt, që aktualisht udhëheq në Premierligë. Ai ka shënuar 14 gola në të gjitha garat këtë sezon, përfshirë tri ndeshjet e fundit të Cityt në Premierligë.