Ishte Luçiano Berio ai që futi elementët e muzikës jazz edhe në këngë të Beatles; ai që kompozoi edhe njëherë finalen e operës Turandot; që u lidh me poetët dhe shkrimtarët më të mirë të kohës si Sanguineti, Eko, Kalvino, Oden, për të krijuar teatrin muzikor modern


Për shumë prej jush, emri i Luçiano Berios është ndoshta i padëgjuar, ose të paktën jo edhe aq i dëgjuar sa mund të ishte fjala vjen, emri i Luçiano Pavarotit, apo ai i ndonjë artisti tjetër të njohur italian. Megjithatë, për ata që e njohin sadopak këtë muzikant besojse këto radhë do t’i lexojnë me interes dhe kureshtje. Ndërkohë, shpresoj që edhe ata të cilët nuk kanë dëgjuar ndonjëherë të flitet për të, por që e pëlqejnë dhe e duan muzikën, do të kenë gjithsesi kureshtjen dhe dëshirën për të mësuar diçka rreth tij dhe muzikës së tij.


Më 27 maj u mbushen 5 vjet nga vdekja e kompozitorit të madh italian Luçiano Berio dhe një koncert i organizuar për këtë datë do të ishte mënyra më e bukur për ta kujtuar atë. Por prapëseprapë, nuk do të ishte i mjaftueshëm për të paraqitur këtë personalitet të veçantë, i cili me natyrën e vet kureshtare, me qëndrimin e hapur e gjithëpërfshirës u bë një ndër figurat më karizmatike të muzikës evropiane në shekullin XX.


Për këtë arsye, duke marrë shkas nga ky përvjetor dhe duke njohur paraprakisht jetën dhe veprën e tij, parapëlqeva të shkruaja diçka në kujtim të këtij artisti të madh.


I lindur në një qytet të vogël, buzë detit Ligur, në Oneglia, Berio ishte biri i një familjeje muzikantësh, prej të cilëve veç edukatës, fitoi edhe një natyrë praktike në komunikimin me muzikën. Para së gjithash, atë e tërhiqnin dhe vlerësonte përvojat muzikore në vetvete; nga ato të përditshmet, deri te më elitaret, duke përfshirë këtu edhe ato përvoja që në pamje të parë mund të dukeshin se qëndronin larg muzikës. Aikërkonte të gjente te ato një kuptim, një mesazh të caktuar dhe pasi ta kishte zbuluar, Berio e bënte pjesë të ideve dhe projekteve të veta krijuese.


Kjo natyrë ndikoi në formimin e përgjithshëm të tij si muzikant, formim që krahas shkollimit në Konservatorin e Milanos dhe kurseve të kompozicionit me Dalapikolan, u plotësua edhe me një sërë aktivitetesh të tjera të rëndësishme që “rrotulloheshin” të gjitha rreth muzikës. Si rrjedhojë, në moshë relativisht të re, ai u bë një protagonist në skenën evropiane të muzikës dhe bashkë me muzikantë të tjerë të rinj u grupuan rreth të ashtuquajturës “Avangardë” e muzikës, (aty rreth viteve ’50).


Megjithatë, i karakterizuar gjithmonë nga ajo natyrë praktike që thamë, ai edhe pse u tërhoq nga prirjet e reja të kohës, parapëlqeu të ndiqte rrugën e vet origjinale. Krahasuar me ato të miqve apo kolegëve të vet, të cilët krijuan kultin e një vendi me kurset verore të Darmshtadit (kurse ku muzikantët trajtonin zhvillimet moderne të muzikës brenda një rrethi specialistësh të fushës), Berio i vuri në zbatim prirjet e veta novatore me anë të “Takimeve muzikore” (Incontri musicali), cikël koncertesh që zhvilloheshin në qytete të ndryshme të Italisë si një mënyrë komunikimi më afektive mes muzikës bashkëkohore dhe publikut.


Ky qëllim karakterizoi gjithashtu edhe muzikën e tij; një muzikë që ishte e hapur ndaj publikut edhe duke ruajtur shprehjet elitare të saj. Në këtë mënyrë bashkohej e thjeshta me kompleksen, e përditshmja me të jashtëzakonshmen, tradicionalja me novatoren dhe krijoheshin vepra të tilla të suksesshme dhe të dashura për publikun, si “Simfonia”, “Opera”, “Folk Songs”, etj. Te kjo e fundit, për shembull janë 11 këngë folklorike nga vende të ndryshme të botës, të cilat ai i trajton mbi koncepte muzikore bashkëkohore, duke sjellë një trajtim shumë origjinal të folklorit. Ndërkohë te “Simfonia” ai zgjedh një sërë materialesh të njohura të muzikës evropiane dhe në formën e një “kolazhi” krijon një vepër të madhe simfonike me “pamje” sugjestionuese.


Është në tipin e Berios që të përqendrohet mbi të gjitha te vepra konkrete dhe gjithë përbërësit e saj t’i vinte në shërbim të saj. Nuk kishte rëndësi çfarë mjetesh përdoreshin, tradicionale ose jo, të vjetra apo të reja; rëndësi kishte të arrinin qëllimin final të një vepre të plotësuar dhe të realizuar në të gjithë parametrat e dëshiruar nga autori. Për këtë arsye, tërheqjen më të madhe Berio e pati ndaj tingullit (akustik apo elektronik) dhe shfaqjeve të tij (tingulli muzikor, foljor, tingujt e natyrës dhe realitetit, etj). Duke zbuluarkuptimet dhe aftësitë e veçanta të tij, tingulli u bë për të një burim i pashtershëm situatash, ngjarjesh e mendimesh, të cilat ai i konceptoi, i modeloi, madje edhe i rikrijoi shpesh brenda opusit të madh të veprave.


Kështu, asnjë kompozitor tjetër nuk u tërhoq aq sa Berio ndaj zërit njerëzor dhe më konkretisht akoma, ndaj vokalit femëror, gjë që jo rastësisht u realizua nga një prej njerëzve më të dashur për Berion, këngëtares Keti Berberian. Falë saj, Berio arriti të depërtonte në aftësitë muzikore, fonetike e teatrale të zërit njerëzor, për të shprehur lidhjen shumëplanëshe të muzikës me fjalën, poezinë, imazhet, teatrin, në konceptimin muzikor të hapur dhe shumëpërfshirës të muzikës së Berios.


Është folur shpesh, për Berion si një muzikant që ka “oreks të madh” dhe për muzikëne tij gjithëpërfshirëse, gjë që është plotësisht e vërtetë. Sepse, ishte Berio ai që futi në kompozimet e veta elementët e muzikës jazz, apo ato të këngëve të grupit Beatles; ishte Berio që kompozoi edhe njëherë finalen e operës Turandot, të cilën Puçini e la vetëm me shënime; ishte Berio që u lidh me poetët dhe shkrimtarët më të mirë të kohës (Sanguineti, Eko, Kalvino, Oden), për të krijuar teatrin muzikor modern dhe në të gjitha ai mbetej gjithmonë origjinal dhe tërheqës.


Bota ndryshon si një organizëm i gjallë dhe Berio me natyrën kureshtare, po aq sa edhe me talentin e vet nuk mund të qëndronte jashtë këtij procesi. Për rreth 50 vjet, muzika e tij shenjoi skenën muzikore bashkëkohore, duke paraqitur një artist i cili asnjëherë nuk jetoi jashtë kohës së vet, por përkundrazi, u zhyt brenda saj, për të parë dritat dhe hijet e saj dhe për t’i modeluar më në fund në atë muzikë që si thoshte edhe ai vetë, ishte gjithmonë e vërtetë dhe konkrete.


Muzikologe