Kleo Lati


Botimi i një libri në një vend të huaj, në një gjuhë të huaj, është, pa dyshim, një arritje për një shkrimtar. Është fjala për librin Duke rrokur rrufetë të studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, botuar kohët e fundit në greqisht. Është një vëllim me poezi hajku.


Nasho Jorgaqi është një autor me krijimtari të pasur e me kohështrirje në disa dekada.


E lexova me një frymë qysh në Athinë, në greqisht, librin Duke rrokur rrufetë. Poezi hajku, të shkruara me një bukuri vargu. Poezitë e hajkut, me titullin shprehës Duke rrokur rrufetë, dëshmojnë për një poet të vërtetë, thotë në shënimin hyrës të librit Kristos Toumanidhis, kryetar i Rrethit Grek të Hajkut I vërtetë! Gjithnjë kjo gjë më ka bërë përshtypje tek krijimtaria e Nasho Jorgaqit. Kur lexon novelat e tij Dashuria e Mimozës (1960), Ëndrra dhe plagë (1963), Posta e largët (1968), Balada e nënës (1994) thua se ai është një novelist i vërtetë, kur lexon vëllimet me tregime Shoku (1968), Manastiri i dashurisë (1995) dhe Dënimi i bukurisë (1998), thua, gjithashtu se autori i tyre është një tregimtar i vërtetë, kur lexon romanin e tij Mërgata e qyqeve, (1979) thua me plot bindjen se është një romancier i vërtetë Kështu mund të thuhet edhe për poezinë e tij, jo vetëm të librit që përmendëm, por edhe të vëllimeve të tij të tjera poetike si Gëzimet e bukurisë (2005), Çaste (2007), Heshturazi (2010), hajku.


Nasho Jorgaqi është një shkrimtar i vërtetë edhe kur shkruan letërsi për fëmijë, se është një biografist i mrekullueshëm, qoftë edhe sikur të kishte shkruar një libër të vetëm, atë për Fan Noli, për të cilin Jorgaqi, me një pasion prej artisti dhe me një energji prej të riu gërmon vazhdimisht për të nxjerrë prej andej fakte, ndodhi dhe detaje sa më domethënëse për këtë personalitet të letërsisë dhe kulturës shqipe. Pa endjen e Jorgaqit nëpër galeritë e historisë, ne nuk do ta kishim sot, me siguri, aq të performuar figurën unike të Fan Nolit.


Poezit e vëllimit Duke rrokur rrufetë janë përcjellë nga përkthyesi i ri dhe i talentuar Aris Kacalidha me ndjeshmëri të lartë. Trevargëshi i hajkut tek ky libër i Jorgaqit është i ngrohtë, lirik, shpesh edhe filozofik.


Për dashurinë Jorgaqi shkruan me ndjenjën, pasionin dhe lirizmin e një të riu, gjë që i bën mjaft të freskëta poezitë e tij. Të ngjitesh dhe të zbresësh/ në trupin femëror/ qendra e Tokës është atje!, thuhet në një poezi. Ose: Ah, sa burra/ ashtu si Odisea nuk arrijnë/ në dashurinë që i pret Është dhe një poezi tjetër e bukur, të cilën Toumanidhis e ka përzgjedhur dhe e ka vendosur në shënimin e tij hyrës:


Lule, në lindje.


Lule, në vdekje.


Lulet: Kufijtë e jetës!


 


Ka shumë poezi të bukura, por në mbyllje të këtyre shënimeve për botimin në greqisht të librit me poezi Duke rrokur rrufetë të Nasho Jorgaqit, po veçoj këtë:


Edhe kur ti fle,


Bukuria jote


Zgjuar mbetet!