Rreth 15 pronarë tokash në Spitallë të Durrësit janë hedhur në një protestë duke bllokuar për dy orë punimet në aksin e rrugës Spitallë-Porto Romano. Me pretendimin se u janë marrë tokat padrejtësisht dhe pa asnjë paralajmërim, pronarët kërkojnë të shpronësohen sipas ligjit, ndryshe ata kërcënojnë se do të bllokojnë vazhdimin e punimeve dhe do ti përshkallëzojnë protestat e tyre. Ka pak javë që kanë filluar punimet në rrugën e Porto Romanos, e cila lidh superstradën me parkun industrial në Porto Romano.

Ky investim financohet me fonde të buxhetit të shtetit, ndërkohë që rruga është projektuar në kuadër të zhvillimit dhe zbatimit për parkun industrial në Porto Romano. Aktualisht punimet kanë filluar në dy lotet e para, ndërkohë që vetëm një nga lotet kap vlerën e 488 milion lekë të reja. Aktualisht po punohet për mbushjen e rrugës, ngjeshjen dhe rulimin e saj, ndërsa në fazën tjetër do të ketë katër shtresa me zhavorr, çakëll e binder dhe së fundi 22 cm trashësi asfalti. Por pronarët e tokës ku ka filluar ndërtimi i rrugës së re të Porto Romanos kanë protestuar, duke bllokuar për disa orë punimet. Rruga në fjalë, me gjatësi 8 km, kalon mes përmes fushës midis zonës së banuar të Kënetës dhe fshatit Shënavlash. Punimet për këtë rrugë kanë dy muaj që kanë filluar dhe banorët janë shprehur se askush nuk ka kontaktuar me ta për shpronësimet. Në protestë kanë marrë pjesë rreth 15 vetë, të cilët janë që të gjithë pronarë të tokës ku është duke u ndërtuar rruga. Ata e kanë blerë tokën nga banorët që e kanë përfituar këtë tokë me zbatimin e ligjit 7501, por që më vonë është shitur tek persona të tjerë. Një pjesë e vendit ku kalon rruga është tokë shtetërore, por banorët që protestuan dje pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm duke treguar edhe dokumentet e pronësisë, të lëshuara nga Hipoteka e Durrësit. Aktualisht punimet po kryhen në pjesën nga autostrada deri në vendin ku kryqëzohet me aksin rrugor Spitallë-Shënavlash. Në këto dy akse janë duke punuar firmat Siak dhe Gener 2, ndërkohë që shumë shpejt pritet zhvillimi i tenderit për dy lotet e tjera. Pronarët të revoltuar shprehen se tokën e kanë blerë me dokumente të rregullta dhe duan të marrin lekët e shpronësimit për atë që po zihet nga rruga. Pas përfundimit rruga do të jetë 26 metër e gjerë dhe në të janë parashikuar që të qarkullojnë kamionë të tonazhit të rëndë për të transportuar materiale të ndryshme në investimet e pritshme për parkun industrial të Porto Romanos. I gjithë investimi për këtë rrugë shkon në rreth 1.3 miliard lekë të reja. Afati i fillimit të punimeve është 22.12.08. kurse përfundimi në 22 shkurt të vitit 2010.