Lajmi është publikuar dje nga gazeta amerikane New York Post, me shkrimin: “Të kërkuarit midis nesh”, e cila shkruan se dy shqiptarët më të kërkuar janë Plaurent Dervishaj, kunati i Lul Berishës, kreut të ish-Bandës së Durrësit.

Dervishaj dyshohet se jeton në Shtetet e Bashkuara pikërisht në Nju Jork. “Plaurent Dervishaj, 37 vjeç, i cili është i kërkuari numër një në atdheun e tij, kërkohet për vrasje të shumta duke përfshirë vrasjen e shefit të një grupimi rival”, njoftoi Byroja Federale e Hetimeve (FBI), shkruan gazeta në faqen e saj online.

Sipas shkrimit, Dervishaj është larguar nga Shqipëria në Mars të vitit 2006, për t’iu shmangur arrestimit. “Të arratisurit në listën e publikuar janë njerëz që janë akuzuar për kryerjen e krimeve të rënda dhe veprave të dhunshme” , tha agjenti special James Morgolin, zëdhënës i FBI-së.

“Nuk ka krim më të rëndë se sa vrasja. Ne kemi mësuar se publikimi i fotove për publikun është një mjet efikas për gjetjen e tij”, vijon agjenti. Ndërkohë, në listën e të shumë kërkuarve është edhe Dukagjin Nikollaj, 27-vjeç, i cili thuhet se është pjesë e organizatës “Krasniqi Organization” i akuzuar për vrasje dhe trafik droge.