Dy thesare monedhash të zbuluara para disa muajsh gjatë një ekspedite arkeologjike në amfiteatrin antik të Durrësit janë restauruar plotësisht dhe janë gati për ekspozim dhe studim. Thesaret që i përkasin dy periudhave të ndryshme kohore janë restauruar nga restauratori Frederik Stamati, i cili thotë se ato janë gjetur të bashkuara me njëra-tjetrën  nga produktet e korruzionit. Thesari i parë përbëhet nga 8 monedha të periudhës së Bizantit prej bronzi, ndërsa



thesari i dytë përbëhet nga 23 monedha turke prej argjendi me përzierje bakri. Një prej monedhave përcaktohet si më e rëndësishmja e thesarit turk, pasi ka shumë vlerë dhe është prerë në Stamboll. I takon kohës kur në Ballkan filluan marrëdhëniet kapitaliste dhe si rrjedhojë pati zhvillim dhe më shumë tregti. Për restauratorin Stamati thesari i dytë është shumë i rëndësishëm dhe sipas tij kjo është hera e parë që gjendet një thesar i periudhës turke. Stamati tregon se njëri nga thesaret është i periudhës së Bizantit, rreth shek. XIII, ndërsa thesari tjetër monedhë argjend përzier me bakër, është nga periudha turke dhe se është hera e parë që gjenden nga periudha e pushtimit turk një thesar me monedha. Pas gjetjes së këtyre dy thesareve shkon në katër numri i thesareve të zbuluara në amfiteatrin e Durrësit, ku me sa duket banonte një pjesë e pasur e popullsisë së qytetit.